AKV “Gjilani”, fitues i vendit të dytë në Festivalin ndërkombëtar “Shkupi Folk-Fest”

AKV “Gjilani”, fitues i vendit të dytë në Festivalin ndërkombëtar “Shkupi Folk-Fest”

AKV “Gjilani”, po vazhdon me suksese te njëpasnjëshme neper festivale kombëtare dhe ndërkombëtare. AKV “Gjilani”, ishte fitues i vendit të dytë edhe në Festivalin ndërkombëtar “Shkupi Folk-Fest” – 2017.

Në këtë festival është paraqitur me potpuri këngësh të kombinuara nga të gjitha trevat shqiptare, për ta begatuar sa më shumë këtë ngjarje me rëndësi të veçantë, te interpretuara nga këngëtaret tash më të njohur Qemajl Musliu, Nehat Ferati, Avdi Latifi dhe Adnan Leka, nën përcjelljen e orkestrës profesionale, të udhëhequr nga Maestro Murat Ismajli dhe aranzhimet e Prof. Burhan Azizi.

Gjithashtu AKV “Gjilani”, u paraqit me vallen premier “Kolazh vallesh” të punuar nga koreografja e mirënjohur nga Shqipëria Arta Paspali

Kryetari i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve “Gjilani”, Nehat Ferati ka thënë se ky Festival është organizuar nga SHKA “Shqiponja”, Saraj-Shkup, dhe është mbajtur për herë të parë. Sipas organizatorit pritet të jetë një Festival tradicional.

Ferati tha se Festivali kishte karakter garues dhe kishte laramani te këngëve dhe valleve të më se 20 Ansambleve dhe grupeve tjera. Programi i paraqitur nga AKV “Gjilani”, pasuroi këtë ngjarje dhe i dha një jehone sheshit “ Isa Boletini” në Saraj të Shkupit, me këngë dhe valle të bukura shqiptare, është pritur shumë ngrohtë dhe me entuziazëm nga publiku vendas dhe nga organizatorët.

“Vlen të theksohet se pjesëmarrja e Ansamblit “Gjilani”, në këtë festival është realizuar në kuadër të bashkëpunimit të shkëlqyer të Ansamblit dhe organizatorit me ç’rast i shprehim mirënjohje dhe falënderime organizatorëve, në krye me Fevzi Ebibi, për pritjen dhe organizimin e jashtëzakonshëm të kësaj ngjarje shumë të rëndësishme kulturore”, ka thënë Ferati.

Sipas tij AKV “Gjilani”, me mbështetjen kësaj radhe të Komunës së Gjilanit, arriti ta realizojë këtë aktivitet kulturor dhe i falënderohen institucionit për mbështetjen, duke u bërë thirrje që AKV “Gjilani”, si vlerë e pakontestueshme jo vetëm e qytetit, por e gjithë kombit, të mbështetet edhe më shumë për t’i ruajtur dhe kultivuar vlerat tona kombëtare.

KOMENTE