Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari bashkë me Kryesuesin e Shoqatës së Mullisëve, Bashkim Zejnullahu, mbajtën konferencë për media lidhur me situatën aktuale të çmimeve të bukës.
Ministrja Hajdari në fjalën e saj para gazetarëve tha se në ditët e fundit, çmimi i një buke po ndryshon nga 0.45 cent deri në 0.60 cent në disa furra buke, derisa të dhënat e përditësuara të Doganës së Kosovës, për dallim nga muaji maj 2022, konfirmojnë rënie në 7% të çmimeve furnizuese të grurit dhe miellit.
Ministrja Hajdari theksoi se Grupi Punues i Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, ka analizuar çmimet me evidencë nga tregu, për produktet bazë: gruri, mielli, buka, orizi, pastat nga gruri i fortë, vaji ushqimor i lulediellit, qumështi, kripa e kuzhinës, vezët, mishi i pulës, sheqeri, sapuni, detergjenti dhe pecetat higjenike, duke konstatuar se:
– marzha tregtare e produkteve bazë të shumicës së operatorëve ekonomik, ka ndryshime nga 8% deri në 19.40% varësisht nga produkti;
-disa operatorë ekonomik tregtojnë me marzhën tregtare nën 5% për produktet bazë.
“Prandaj, bazuar në evidencë, do të propozojmë masa direkte për të minimizuar manipulimet në çmimet e produkteve bazë, në koordinim të afërt me Inspektoratin e Tregut në nivel qendror dhe komunal, Doganën e Kosovës, Administratën Tatimore të Kosovës, Autoritetin e Konkurrencës dhe Komunitetin e Biznesit” përfundoi Ministrja Hajdari. /2LONLINE/