Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), Arbërie Nagavci, ka vizituar Universitetin Publik “Kadri Zeka” në Gjilan. E shoqëruar nga zëvendësministri, Taulant Kelmendi, ministrja Nagavci ka zhvilluar një takim të përbashkët me Rektorin Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku, anëtarët e Këshillit Drejtues dhe Prorektorët.
Rektori Dërmaku, e falënderoi ministren Nagavci për vizitën dhe interesimin për UKZ-në, derisa ka njoftuar rreth të arriturave dhe sfidave me të cilat përballet universiteti. Ai tha se prezenca e ministres në këtë institucion është motivuese dhe shtytëse në përmbushjen e detyrave dhe përgjegjësive të cilat ka universiteti. Rektori ka folur edhe për çështje specifike që ndërlidhen me akreditimin e programeve, profilizimin e universitetit, rekrutimin e stafit akademik, buxhetin, etj.
Ndërsa, ministrja Arbërie Nagavci tha se janë duke zhvilluar takime dhe vizita nëpër të gjitha universitetet publike në Kosovë, për të bashkëbiseduar për ecurinë e proceseve, punët dhe sfidat me të cilat ballafaqohen, por mbi të gjitha për t’i dëgjuar rekomandimet apo propozimet e tyre, të cilat shërbejnë në hartimin e politikave arsimore.
Më pas Ministrja me ekipin e saj e po ashtu edhe Rektori me bashkëpunëtorë, kanë takuar studentët e Universitetit, të cilët kanë prezantuar disa nga projektet e punuara nga ta që kishin të bënin kryesisht në fushën e IT-së.
Ministrja përgëzoi studentët për sukseset e treguara, derisa tha se suksesi i universiteteve, i UKZ-së në këtë rast, është edhe sukses i MASHTI-t në përgjithësi, prandaj shprehu mbështetjen për të gjitha sfidat që studentët kanë. Në këtë kuadër, ministrja tha se UKZ ka një rëndësi të madhe për shkak të programeve specifike që janë të ndërlidhura me zhvillimin e industrisë në vend.
Më pas të gjithë së bashku kanë vizituar ambientet e UKZ-së për të parë nga afër sallat, kabinetet dhe hapësirat tjera nëpër të cilat zhvillohet procesi mësimor.
Drejtues të Ministrisë dhe Universitetit shprehen gatishmërinë për të vazhduar bashkëpunimin e frytshëm, me qëllim të arritjes së standardeve më të larta në arsim dhe kontributit në zhvillimin e shoqërisë kosovare. /2LONLINE/