Në Ministrinë e Punëve të Brendshme u mbajt konferenca për media për vazhdimin e afatit për legalizim të armëve. Vendimi i Ministrisë së Punëve të Brendshme respektivisht Qeverisë së Republikës së Kosovës për vazhdimin e fazës së dytë të kampanjës për legalizimin e armëve do të zgjasë deri më 17 Shtator 2019.
Koordinatori Nacional i Strategjisë për Kontrollin e Armëve të Vogla të Lehta dhe të Eksplozivëve, njëherit zëvendësministër i MPB-së, z. Izmi Zeka tha se qëllimi i këtij vendimi është që bashkërisht të inkurajojmë të gjithë qytetarët dhe bashkatdhetarët tanë që gjenden për pushime në Republikën e Kosovës për të shfrytëzuar mundësinë për legalizimin e armëve.
Zëvendësministri Zeka vuri në dukje se Kosova ka bërë progres në kontrollin e armëve, mirëpo ende mbetet sfidë kontrollimi i armëve. Ai tha se përdorimi i armëve të vogla dhe të lehta paraqet një kërcënim për qytetarët dhe jetën e tyre.
“Republika e Kosovës është në rrugën e saj drejt procesit të integrimit evropian dhe ne kemi nevojë që bashkërisht të jemi më aktiv në fushën e zvogëlimit të armëve të pa ligjshme në vendin tonë, t’i legalizojmë ato dhe të krijojmë një siguri cilësore për qytetarët tanë”-tha z. Zeka.
U.D. e Përfaqësueses së Përhershme e UNDP-së në Kosovë, znj. Maria Suokko theksoi se posedimi i armëve të vogla në rajon dhe botë po e vë në rrezik sigurinë publike, zhvillimin ekonomik dhe po merr jetë.
“Kosova është vend i sigurt me një shoqëri të sigurt dhe se mund të jetë model dhe pikë referente për të gjithë rajonin”-tha znj. Suokko.
Ajo gjithashtu theksoi se fushata për legalizim të armëve mbështetet nga misioni i UNDP-së në Kosovë në partneritet me qeverinë gjermane (Zyrën për Punë të Jashtme të Republikës Federale të Gjermanisë).
Ndërsa Drejtori i Divizionit për Siguri Publike në Policinë e Republikës së Kosovës, z. Gazmend Hoxha tha se procesi për legalizimin e armëve ndikon në uljen e vrasjeve që është vepra më e rëndë penale. Ai theksoi se janë konfiskuar armë edhe pse ky trend kohëve të fundit ka rënë.
Në kampanjën e parë për legalizimin e armëve ka pasur rreth 1428 kërkesa për legalizim, rreth 682 pëlqime të lëshuara dhe 7 kërkesa për de-aktivizim. Policia e Kosovës në baza vjetore konfiskon rreth 1300 armë respektivisht në vitin 2016 ka konfiskuar 1292 armë, në vitin 2017 ka konfiskuar 1211 armë ndërsa në vitin 2018 ka konfiskuar 1473 apo gjithsej 6176 konfiskime dhe legalizime.