Ministria e Punëve të Brendshme, përmes Agjencisë për Regjistrim Civil, ka filluar me lëshimin e patentë-shoferëve me dizajn te ri.
Me këtë rast, ministri i Punëve të Brendshme, z. Flamur Sefaj tha se patentë-shoferi me dizajn të ri si dhe patentë- shoferi mobil kanë shumë përparësi, pasi që mundësojnë saktësi më të madhe në procedurën e kontrollit të patentë-shoferit.
“Patentë-shoferët me dizajn të ri sigurojnë efikasitet të përmirësuar, pasi procesi është i shpejtë, transferon të dhënat dhe zgjatë vetëm disa sekonda si dhe është i sigurt dhe i qëndrueshëm”, theksoi ministri Sefaj.
Ministri Sefaj theksoi se në kuadër të politikave të MPB-së, është që të ofrojë sa më shumë shërbime cilësore qytetarëve dhe në kuadër të këtyre shërbimeve të mos i ngarkojë me pagesa shtesë dhe për këtë është duke u planifikuar të merret një vendim për uljen e tarifave për pajisje me patentë-shoferë.
Ndërsa, drejtoi i ARC-së, z. Bekim Hoxha tha se dizajni i ri i patentë-shoferëve ka përfshirë ndryshimet e nevojshme që janë paraparë në përmbajtjen dhe formën e patentë-shoferit të Republikës së Kosovës, sipas Ligjit për Patentë-Shofer, Ligjit për Rregullat e Trafikut rrugor dhe direktivave të BE-së.
Po ashtu, ai bëri të ditur se në dizajnin e ri, të patentë-shoferi është i inkorporuar edhe me QR-Code, i cili do të mundësojë zbatimin e patentë-shoferit mobil, të lëshuar javën e kaluar nga MPB. Me këtë rast, Kosova është bërë vendi i pare në botë që do të ofrojë ketë shërbim në telefonat e mençur.
Patentë shoferët e rinj, të përgatitur nga ARC së bashku me kompaninë gjermane Veridos, kombinojnë dizajnin më bashkëkohor me teknologjitë më të fundit të sigurisë.
Ministria e Punëve të Brendshme i ka përfunduar të gjitha procedurat për lëshimin e patentë-shoferëve profesionalë, ndërsa lëshimi i tyre do të fillojë në koordinim me Ministrin e Infrastrukturës.