Ministria e Mbrojtjes e Republikës së Kosovës me qëllim të informimit të drejtë të publikut, njofton të gjitha palët e interesuara lidhur me procesin e rekrutimit të rekrutëve të rinj.
Procesi i rekrutimit për 400 rekrutët e rinj është iniciuar nga Komandanti i FSK-së me datë 5 gusht 2020, ndërsa kërkesa për planin e rekrutimit për vitin 2020-21 është miratuar nga Ministri i Mbrojtjes, në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe bazuar në PGJT (Plani gjithëpërfshirës i transformimit);
Procedura e rekrutimit është zhvilluar në harmoni të plotë me ligjet si vijon:
– Ligjin Nr. 06/L-122 për Ministrinë e Mbrojtjes së Republikës së Kosovës;
– Ligji Nr.06/L-124 për Shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës,
– Ligji nr. 07/l-001 Mbi Ndarjet Buxhetore për Buxhetin e Republikёs sё Kosovёs pёr vitin 2020;
– Ligji nr. 07/l-041 mbi Ndarjet Buxhetore për Buxhetin e Republikёs sё Kosovёs pёr vitin 2021.
Konkursi publik ka qenë i shpallur prej datës 10 deri më 21 gusht 2020. Të drejtë aplikimi kanë pasur të gjithë kandidatët nga mosha 18 – 23 vjet të cilët i plotësojnë kriteret sipas ligjit. Gjatë konkursit kanë aplikuar 5392 aplikant, 587 femra, 103 nga radhët e komuniteteve, prej tyre 14 femra.
Me qëllim të informimit dhe ofrimit të ndihmës për kandidatët gjatë fushatës dhe procesit të rekrutimit, Ministri i Mbrojtjes me vendim ka formuar Bordin e Rekrutimit në përbërje prej pesë (5) anëtarëve i cili është përgjegjës për përzgjedhjen dhe rekrutimin e rekrutëve të rinj – ushtarë aktivë në Forcën e Sigurisë së Kosovës, i cili në përbërje të tij përveç strukturave të personelit të MM dhe FSK-së, ka edhe akterë tjerë të jashtëm.
Në mënyrë që të sigurohet transparencë e plotë, në cilësinë e vëzhguesve janë përfshirë: Njësia e të Drejtave të Njeriut dhe Barazi Gjinore dhe Njësia për Çështje të Komuniteteve në MM, NALT (Ekipi këshillues i NATO-s) dhe BIRN.
BIRN ka monitoruar dhe ka marrë pjesë direkte në të gjitha fazat e testimit (përmes video-incizimeve ndërkaq pas secilës fazë ka hartuar raportet vlerësuese).
Procesi i përzgjedhjes së rekrutëve të rinj ishte i planifikuar të përfundoj në Janar të viti 2021, mirëpo për shkak të përballjes me pandeminë COVID-19, dhe masave të vendosura nga Ministria e Shëndetësisë, ky proces është zgjatur.
Gjatë procesit të përzgjedhjes: shqyrtimit fillestar, testimit fizik, testit të inteligjencës dhe njohurive të përgjithshme si dhe intervistave, nga 5392 kandidat që kanë aplikuar, për t’u intervistuar janë përzgjedhur 1252 kandidatë, prej të cilëve janë intervistuar 1235 kandidatë.
Pas përfundimit të testimit fizik, testit të inteligjencës dhe njohurive të përgjithshme, si dhe intervistimit, në përputhje me Rregulloren e Rekrutimit, kandidatët janë vlerësuar me numrin e pikëve konkrete, ndërkaq rezultati përfundimtar në mënyrë komunlative pasqyron pikët maksimale të arritura në secilën fazë.
Prandaj, me rastin e publikimit të listës fillestare prej 419 kandidatëve të suksesshëm, janë përzgjedhur vetëm kandidatët të cilët kishin numrin më të madh të pikëve, pavarësisht se të njëjtit mund të kenë kaluar minimumin që kërkohet nëpër secilën fazë të testimit. Pra, në renditjen përfundimtare kanë ndikim rezultatet në testin fizik, atë me shkrim dhe intervistën.
Kandidatët e përzgjedhur do vazhdojnë me ekzaminimet mjekësore, verifikimin e pastërtisë së figurës dhe trajnimin bazik. Të gjithë ata kandidat që i përfundojnë me sukses këto faza do të bëhen pjesëtarë aktiv të Forcës së Sigurisë së Kosovë.
Numri 400 i rekrutëve të rinj është numër i përcaktuar me Ligjin vjetor për ndarjet buxhetore për vitin 2020 dhe vitin 2021, sipas kërkesës së Shtabit të Përgjithshëm.
Ministria e Mbrojtjes, në koordinim të plotë me Ministrinë e Financave, në procesin e rishikimit buxhetor për vitin 2021, si dhe procesin e planifikimit buxhetor për vitin 2022, do të krijojë bazën ligjore për të rritur në mënyrë të konsiderueshme numrin e rekrutëve të FSK-së në konkursin e radhës për rekrutë të rinj.
Ministria e Mbrojtjes fton të gjitha palët në rast të interesimit për të parë detajet e procesit, ku do t’u jepet qasje në të gjitha dokumentet publike dhe video-incizimet. /2LONLINE.com/