Ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku dhe kryetari i Komunës së Kaçanikut, Besim Ilazi, nënshkruan Memorandumin e mirëkuptimit për financimin e projekteve të infrastrukturës rrugore në Kaçanik.
Me anë të këtij Memorandumi do të financohet realizimi i ndërtimit të rrugëve “Nexhmush Elezi”, “Selim Shehu” dhe “Burim Rexha”, ndërtimit të rrugëve “Rushit Luta”, “Bajram Berisha”, “Migjeni”, “Ukë Meta”, dhe “Blerim Raka”, si dhe asfaltimi i rrugës “Mejdi Dalloshi” (segmenti 1 – nga fillimi i rrugës deri te kryqëzimi me rrugën “Tefik Raka” dhe segmenti 2 – vazhdimi i ndërtimit të rrugës nga vendi “Tek doket shehri”), si dhe projekti i asfaltimit të rrugëve “Kjani Bela”, “Asim Vokshi”, “Veli Dema” dhe “Voskopoja”, për të cilat 50,000 € do t’i sigurojë MI dhe 90,000 € komuna e Kaçanikut.
Projektin për asfaltimin e rrugëve “Lushi”, “Gërlica”, “Gabrrica”, “Trupaj” dhe “Rezhancë-Dullovi” të Kaçanikut, në vlerë prej 300,000 € do ta financojë MI, e cila do ta financojë edhe projektin për asfaltimin e rrugës që lidh fshatin Nikë me magjistralen N2, në vlerë prej 100,000 €.
MI obligohet të sigurojë mjetet financiare në pajtim me realizimin e punimeve sipas kushteve të kontratës dhe do të caktojë një zyrtar për mbikqyrjen e realizimit të projekteve nga fillimi deri në përfundim të kontratës. MI me vendim do të caktojë detyrat, përgjegjësitë dhe autorizimet e zyrtarit për mbikqyrje.
Komuna e Kaçanikut obligohet që t’i krijojë kushtet e nevojshme për realizimin e projekteve pa pengesa për operatorët ekonomike dhe zhvillimin e projekteve në pajtim me Ligjin mbi Prokurimin Publik dhe Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësive.
Po ashtu, Komuna obligohet të kryejë procesin e tenderimit dhe të caktojë komisionin për hapjen e ofertave dhe vlerësimin e tenderëve.