Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka takuar sot drejtorët e spitaleve të përgjithshme si dhe të Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës, me të cilët ka diskutuar për gjendjen e spitaleve dhe përgatitjet për situatën epidemiologjike.
Ai këtë e ka bërë me dije përmes një postimi në llogarinë e tij në facebook:
“Kam takuar drejtorët e spitaleve të përgjithshme si dhe të ShSKUK-së, për t’u njohur me gjendjen e spitaleve si dhe përgatitjet për situatën epidemiologjike. Tash për tash, situata në spitalet tona është stabile, por, jemi të vëmendshëm.
Përkujdesja shëndetësore nuk guxon të mungojë, për shkak të virusit. Asnjë kufizim i trajtimit të pacientëve nuk mund të bëhet në spitale e as QKUK.
Spitalet e përgjithshme në asnjë moment nuk mund ta ngarkojnë QKUK-në, duke udhëzuar rastet. Pacientët që mund të marrin trajtimin e duhur në spitalet rajonale, duhet të mbesin aty.
Llogaridhënia me transparencën janë të pandashme në punën tonë ditore, ky është edhe detyrimi i secilit menaxher e drejtues në sektorin publik.
Tashmë kur po hyjmë në një fazë të re të përgjegjësisë, pres nga secili përgjegjës që të jetë në nivelin e duhur, rritmi i punës nuk do të ulet, puna do të vazhdoj me përkushtim të shtuar.
Kemi shtuar edhe 200 mjekë si dhe 375 staf mbështetës të fushave të ndryshme, ndërsa në specializime edhe rreth 1500 mjekë të tjerë”, ka shkruar ministri Zemaj.