Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës Arben Vitia konfirmoi sot rastin e tretë pozitiv me Koronavirus Covid-19 në Kosovë, ndërkohë që theksoi se bëhet fjalë për një prej të afërmve të pacientit nga Vitia që u diagnostikua një ditë më parë me Covid -19.
“Kjo flet për efikasitetin e masave që kemi ndërmarrë për të mbrojtur shëndetin e përgjithshëm të popullatës në mënyrë që ta prevenojmë përhapjen e virusit, ashtu siç e kemi paraparë edhe me Planin e Veprimit”, tha Ministri Vitia.
Ai tha se dëshiron të falënderojë në mënyrë të veçantë infermierët dhe mjekët e Klinikës Infektive dhe të Klinikave të tjera si dhe nëpunësit e IKSHPK-së për punën e madhe dhe mënyrën se si ata kanë punuar në ditën kur u regjistruan rastet e para pozitive dhe po vazhdojnë të punojnë, derisa falënderoi edhe mediat dhe qytetarët për bashkëpunimin dhe vetëdijen e lartë kolektive të cilën janë duke e treguar në këto rrethana të jashtëzakonshme me të cilën po ballafaqohet jo veç vendi ynë.
“Ne kemi bërë maksimumin që shteti ynë të mbetet në listën e shteteve me risk të ulët në këto rrethana kur në vendet tjera virusi Covid 19 është shndërruar në epidemi në shtete të zhvilluara. Gatishmëria e të gjitha institucioneve ka mundësuar që ta tejkalojmë me sa më pak pasoja këtë situatë që tashmë nga OBSH është shpallur si pandemi”, theksoi Ministri Vitia.
Ai tha se sapo janë identifikuar rastet e para me virusin Covid 19, Qeveria e Kosovës i ka marrë masat e reja të propozuara nga Komiteti për Emergjenca që përbëhet nga të gjitha institucionet, nën udhëheqje të Ministrisë së Shëndetësisë.
Ministri Vitia ka kërkuar nga qytetarët që të bëjnë kujdesin e shtuar dhe t’i zbatojnë me përpikmëri të gjitha vendimet e marra nga Qeveria e Kosovës dhe rekomandimet që dalin nga institucionet tona për të mbrojtur shëndetin.
Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, Naser Ramadani tha se nga data 08.02.2020 deri me 14.03.2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 140 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2. Deri tash, tre prej tyre janë pozitive, ndërsa të tjerat negative.
Duke shpjeguar rreth hulumtimit të rasteve që kanë qenë në kontakt me personat që kanë rezultuar pozitiv në Covid-19, profesor Ramadani tha se ekipet e epidemiologëve të IKSHP-së kanë bërë gjurmimin e këtyre rasteve, derisa ka shpjeguar gjithashtu, se testet për COVID-19 punëtorëve mjekësor të karantinuar të QKMF-së në Viti nuk u janë bërë në 24 orët e para të kontaktit për të mos fituar rezultate të rrejshme, por do t’u bëhen pas kësaj periudhe, pavarësisht se jo të gjithë kanë pasur kontakt me personin që ka rezultuar pozitiv.
Profesori Isuf Dedushaj ndërkaq, ka kërkuar nga qytetarët që të ushtrojnë disiplinë sa i përket higjienës, të shmangin kontaktet e afërta dhe të bëhen pjesë e luftës kundër përhapjes së virusit. “Duke respektuar vendimet dhe këshillat profesionale, ne ia ndërpresim rrugën e përhapjes së virusit”, ka thënë profesor Dedushaj.
Ministri Vitia në përmbyllje të konferencës u ka rikujtuar qytetarëve që të zbatojnë rekomandimet e IKSHPK-së duke filluar që nga larja e shpeshta e duarve dhe i ka siguruar qytetarët se angazhimi është i madh që epidemia e Covid-19 në Kosovë të menaxhohet sa më mirë që ka mundësi dhe më sa më pak dëme. Ai ka theksuar se furnizimet me pajisje mbrojtëse janë sfidë jo vetëm në Kosovë në këtë kohë, por për momentin, institucionet kryesore q e bartin barrën e kësaj beteja janë të furnizuara.
“Pa frikë, por me kujdes të shtuar, do të ja dalim edhe në këtë sfidë”, tha Ministri.