Ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu, bazuar në vlerësimin e përgjithshëm të gjendjes në terren, sot ka kërkuar nga Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave (AME) ngritjen e nivelit të Gatishmërisë në Nivel Kombëtar.
Ministria e Punëve të Brendshme, përmes AME-së, me vëmendje të shtuar po e përcjellë gjendjen aktuale të vërshimeve të pjesshme si pasojë e reshjeve të shiut.
Deri më tani në Komunën e Gjakovës, Malishevës, Rahovecit, Drenasit dhe Suharekës ka pasur vërshime të pjesshme, derisa ekipet e AME-së janë në terren duke vepruar sipas nevojës dhe rrethanave.
Në komunat tjera situata momentalisht është e qetë dhe nën kontroll.
AME do të koordinojë të gjitha veprimet operacionale me shtabet komunale, për të ndërhyrë aty ku është e nevojshme, por edhe për t’i ndihmuar këto shtabe si me personel ashtu edhe me mjete.
MPB do të informoi qytetarët në rast të përkeqësimit të gjendjes aktuale. /2LONLINE.com/