Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla ka pritur sot në takim Shefen e operacioneve aktuale, Divizioni për Operacione i Shabit të Përgjithshëm të NATO-s, znj. Ariella Viehe.
Ministri Sveçla e njoftoi znj. Viehe për angazhimet aktuale të Ministrisë së Punëve të Brendshme në zbatimin e prioriteteve të saj.
Palët biseduan për situatën e sigurisë në Kosovë, veçanërisht në katër komunat veriore pas sulmit terrorist të 24 shtatorit në fshatin Banjskë të Komunës së Zveçanit, ku mbeti i vrarë Rreshter Afrim Bunjaku.
Me këtë rast, znj. Viehe shprehu ngushëllimet e saj për humbjen e jetës së Policit të Kosovës. U pajtuam që bashkëpunimi i ngushtë ndërmjet Policisë së Kosovës, KFOR-it dhe EULEX-it më 24 shtator ishte për t’u lavdëruar. Me këtë rast, palët u dakorduan për bashkëpunim të ngushtë të institucioneve tona të sigurisë me misionin e KFOR-it.
Kosova do të vazhdojë të mbetet partner serioz në garantimin e paqes dhe stabilitetit në rajon dhe më gjerë si dhe e përkushtuar në arritjen e aspiratave të saj drejt anëtarësimit në NATO, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme. /2LONLINE/