Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, ka bërë hapjen e “Javës së CEFTA-së 2018”, që po mbahet në Prishtinë nga 4 deri më 6 dhjetor.
Ministri Shala ka falënderuar të gjitha institucionet duke shtuar se do të përfitojmë nga pjesëmarrja e përfaqësuesve të Organizatës Botërore të Tregtisë, Qendrës Ndërkombëtare të Tregtisë, GIZ, Këshillit për Bashkëpunim Rajonal, UNCTAD, Bankës Botërore/ICF, përfaqësuesve të vendeve të CEFTA-së dhe të komunitetit të biznesit.
Shala ka vlerësuar se si objektivë e përgjithshme e politikave ekonomike, Qeveria e Kosovës i kushton rëndësi të madhe krijimit dhe mbajtjes së një ekonomie liberale duke respektuar të gjitha rregullat e OBT.
“Kosova njihet si një nga shtetet kandidate potenciale dhe i është dhënë perspektiva e BE-së nga Këshilli i BE-së. Kosova ka nënshkruar Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me BE-në duke rregulluar jo vetëm marrëdhëniet e tregtisë së lirë mes Kosovës dhe BE-së por edhe duke vendosur parimet e asocimit mes BE-së dhe Kosovës. Kosova ka nënshkruar Traktatin e Komunitetit të Transportit së bashku me BE-në dhe pesë shtete të tjera të Ballkanit Perëndimor. Ky është hap i rëndësishëm pozitiv për liberalizimin e tregjeve të transportit dhe implementimin e Direktivave të BE-së duke përfshirë edhe transportin rrugor në një mënyrë jo-diskriminuese”, theksoi ministri Shala.
Ministri ka thënë se Kosova është duke zbatuar CEFTA-në që nga viti 2006 dhe po ashtu detyrimet që kanë dal nga kjo marrëveshje. Ai po ashtu kë bërë të ditur faktin se tre nga shtatë vendet e CEFTA-së nuk e njohin Kosovën.
“Kosova është duke zbatuar CEFTA-në që nga viti 2006. Kosova ka respektuar detyrimet e saj që rrjedhin nga zbatimi i CEFTA-së. Prandaj, ne kemi plotësisht të drejt t’i gëzohemi suksesit të arritur deri më tani në CEFTA së bashku me vendet e tjera. Tre nga shtatë vendet e CEFTA-s nuk e njohin Kosovën, dhe dy prej tyre janë partnerët tregtarë të parë dhe të dytë më të mëdhenj rajonalë në CEFTA. Kosova është një shtet që nuk ka dalje në det dhe ka një kufi të gjatë me Serbinë, si ekonomia më e madhe në CEFTA, e cila nuk e njeh Kosovën. Përkundër këtij fakti, delegatët zyrtarë dhe shërbyesit publikë të të gjitha vendeve të CEFTA-s, përfshirë Serbinë, Bosnjën dhe Hercegovinën dhe Kosovën, kanë treguar fleksibilitet dhe mirëkuptim të konsiderueshëm për njëri tjetrin me qëllim që procesi i CEFTA të mbahet në rrugën e duhur. Kosova dhe vendet e CEFTA-së të cilat nuk e kanë njohur Kosovën kanë përdorur mjete kreative dhe inovative me akrobacione të artikuluara diplomatike, si p.sh miratimi i Protokollit Shtesë 5 ose përdorimi i tabelave me emra personal në takime. Para jush, dua të falënderoj të gjithë këta profesionistë për guximin dhe fleksibilitetin e tyre”, ka thënë Shala.
Sipas ministrit janë disa çështje në CEFTA që shërbyesit publikë nuk mund t`i zgjedhin.
“Për shembull, importet ose eksportet tona të cilat kalojnë përmes fqinjit tonë i cili nuk e njeh vendin tonë ndalen dhe atyre u kërkohet të dorëzojnë certifikatat nacionale të eksportit ose importit të atij vendi. Kjo për shkak se ata e konsiderojnë vendin tonë si pjesë të tregut të tyre të brendshëm. Apo fakti që ai vend nuk i njeh tabelat e veturave apo nuk i pranon certifikatat e eksportit të vendit tonë për shkak se ato dokumente mbajnë emrin tonë kushtetues dhe flamurin. A mund këto probleme të zgjidhen nga shërbyesit publik? Jo. A po shkelin këto probleme marrëveshjen? Po”, ka thënë Shala.
Ministri ka kërkuar të përqendrohemi në ndikimet negative dhe pengesat të cilat po shkaktohen nga mos-njohja e Kosovës e të cilat nuk mund të zgjidhen nga shërbyesit publik. Shala ka theksuar se tregu i Kosovës donimohet nga fqinjët që nuk e njohin Kosovën shtet.
“Përqindja e importeve të BE për të gjitha vendet e CEFTA-së përveç Kosovës është 60%. Për Kosovën kjo përqindje është 40%. Përqindja e eksporteve në BE për të gjitha vendet e CEFTA-së përveç Kosovës është 40%. Për Kosovën kjo përqindje është 20%. Ju lutem, tregoni se si ekonomia e Kosovës do të ishte konkurruese përderisa në mënyrë të pareshtur ka harmonizuar legjislacionin e saj me Acquis të BE-së ndërsa tregu i saj dominohet nga fqinjët të cilët nuk e njohin Kosovën”, ka thënë ministri.
Po ashtu Shala ka ngritur çështjen e mos lejimit të kompanive kosovare të qasen në tregjet e huaja.
“Më tregoni ju lutem se si munden kompanitë nga Kosova të qasen në tregjet e BE-së në mënyrë të barabartë nëse korridori më i shkurtër i transportit bllokohet për shkak të këtyre çështjeve politike? Si mund të jenë konkurrues me çmime? Në fund, si mundet Kosova që nën këto rrethana të përgatitet për anëtarësimin e saj të mundshëm në BE”.
Ministri Shala ka treguar se pavarësisht gjithë këtyre pengesave, Kosova i ka ngritur këto çështje para CEFTA-së.
“Megjithatë, as mekanizmi për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve e as strukturat e saj nuk kanë qenë në gjendje të sigurojnë një zgjidhje miqësore. Prapë, arsyeja kryesor për këtë dështim është i njëjtë me shkaktarin kryesor të problemit. Të jemi të sinqertë me vetveten. Mos-njohja e Kosovës është pengesa më e madhe jo-tarifore në CEFTA, dhe po ashtu është barriera më e madhe ndaj lehtësimit të transportit”.
Ministri ka theksuar se Qeveria e Kosovës, me gjithë kapacitetet e saj, është e përkushtuar që të kontribuoj në shndërrimin e aspiratave tona rajonale në një realitetet të arritshëm.
“Në të kaluarën ka pasur pengesa në këtë rrugë, dhe me gjasë edhe në të ardhmen do të duhet të përballemi, bashkërisht dhe në mënyrë individuale, me pengesa të tjera të vështira. Por vështirësitë dhe pengesat e mundshme të përkohshme, nuk do të na devijojnë nga rrugëtimi ynë dhe nuk do të bëjmë kompromise për aspiratat tona legjitime. Duhet të gjejmë rrugën që në mënyrë konstruktive të punojmë së bashku në mënyrë që të lehtësojmë rrugën drejt një të ardhme premtuese të cilën populli ynë e pret dhe me të drejtë e meriton. Nuk mund t`i zhgënjejmë, dhe nuk do t`i zhgënjejmë”, tha ai.
Ministri ka thënë se beson shumë se dialogu rajonal politik do të ndihmojë në tejkalimin e këtyre problemeve, siç kemi bërë edhe në shumë raste të tjera.