Ministri i Punëve të Brendshme, z. Flamur Sefaj, priti në takim z. Svein Eriksen nga Agjencia Shtetërore Norvegjeze për Menaxhim Publik.
Temë diskutimi mes ministrit Sefaj dhe z. Svein Eriksen ishte shqyrtimi i mundësisë së bashkëpunimit mes Kosovës dhe Norvegjisë në fushën e sigurisë.
Në këtë takim, ministri Sefaj tha se përfitimi i përvojës dhe ekspertizës norvegjeze për Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Policinë e Kosovës në fushat e menaxhimit të personelit të policisë si dhe modelet e luftimit të terrorizmit dhe radikalizmit janë më shumë interes për institucionet e sigurisë së Kosovës.
Ndërsa, z. Svein Eriksen nga Agjencia Shtetërore Norvegjeze për Menaxhim Publik shprehu gatishmërinë e tij të plotë që përvojat e Norvegjisë në fushën e sundimit të ligjit dhe luftimit të terrorizmit dhe radikalizmit të dhunshëm të barten tek institucionet ligj zbatuese të Kosovës.
Në fund të takimit, ministri Sefaj dhe z. Eriksen u pajtuan për të shqyrtuar modalitetet e bashkëpunimit praktik përmes ndërmarrjes se një analize të gjendjes aktuale, si dhe diskutimit të një plani të mundshëm në funksion të rishikimit funksional dhe aspekteve për ngritje të kapaciteteve në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Policinë e Kosovës.