Ministri i Shëndetësisë Imet Rrahmani priti sot në takim deputetë të Dhomës së Përfaqësueseve dhe Dhomës së Lordëve të Parlamentit të Britanisë së Madhe, me të cilët bisedoi për shëndetësinë.
Ministri Rrahmani njoftoi deputetët nga Britania e Madhe me sistemin shëndetësorë të Kosovës, me aktivitetet që janë duke u zhvilluar në kuadër të reformës së shëndetësisë, bashkëpunimin e mirë me organizatat ndërkombëtare në fushën e shëndetësisë dhe mbështetjen e fuqishme të tyre në këtë aspekt si dhe për përgatitjet përfundimtare që po bëhen nga MSH, për fillimin e mbledhjes së premiumeve shëndetësore.
Ai tha se “MSh është mirënjohëse për akreditimin e Programit Specialistik të Mjekësisë Familjare të Kosovës nga Kolegji Mbretëror i Mjekëve të Përgjithshëm i Britanisë së Madhe (MRCGP), i cili është promotori i mbikëqyrjes së këtij programi dhe i cili është i vetmi i njohur ndërkombëtarisht.
“Pavarësisht se me zyrat ndërlidhëse të organizatave shëndetësore ndërkombëtare kemi një bashkëpunim jashtëzakonisht të mirë, anëtarësimi në Organizatën e Kombeve të Bashkuara do t’i hapte rrugë vendit tonë në anëtarësimin e këtyre organizatave e me ç’rast do të lehtësonte mundësinë e përmbushjes së objektivave të MSH-së, që për interes ka zhvillimin edhe më të gjerë të fushës së shëndetësisë të vendit”, tha Ministri Rrahmani.
Deputetët falënderuan Ministrin për pritjen, dhe shprehen gatishmërinë e tyre për të mbështetur Kosovën në fushën e shëndetësisë në format e mundshme të bashkëpunimit mes dy shteteve.