Kujdesi Parësor Shëndetësor është baza e një sistemi shëndetësor të qëndrueshëm, prandaj Ministria e Shëndetësisë ka përkrahur dhe do të vazhdojë të përkrah zhvillimin e konceptit të Mjekësisë Familjare si alternative më e mirë për zhvillimin e sistemit.
Kështu tha sot Ministri i Shëndetësisë Imet Rrahmani në takimin e organizuar me rastin e fillimit të kohortit të ri në Specializimin e Mjekësisë Familjare për gjeneratën e radhës të mjekeve në Kosovë, që u mbajt në Qendrën për Zhvillimin e Mjekësisë Familjare në Prishtinë.
Ministri Rrahmani u dëshiroj suksese gjeneratës së re të specializantëve të Mjekësisë Familjare, duke vlerësuar se ata do të jenë vazhdimësi e gjeneratave të suksesshme që kanë krijuar baza të qëndrueshme të konceptit të Mjekësisë Familjare në Kosovë.
“Ju do t’i orientoni drejt pacientët drejt fuqizimit të asaj që është arritur për të rritur standardet e trajtimit profesional dhe cilësinë e shërbimeve shëndetësore”, u tha atyre Ministri Rrahmani.
Dekanja e Fakultetit të Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës, Suzana Manxhuka-Kërliu tha se Kujdesi Parësor Shëndetësor paraqet portën e parë për diagnostikimin e sëmundjeve dhe njëherësh portën e fundit të përmbylljes së ciklit të trajtimeve pas përmbushjes së protokolleve mjekësore.
Ajo tha se KPSh po e merr gradualisht rolin e saj të rëndësishëm brenda sistemit shëndetësor, ndërsa Fakulteti i Mjekësisë është i interesuar për integrimin e platformave të reja për ngritjen e edukimit shëndetësor, me qëllim të ngritjes së cilësisë edhe në kujdesin profesional shëndetësor. Në këtë aspekt, ajo përmendi lansimin e E-laboratorit në Fakultetin e Mjekësisë që mund t’u shërbejë edhe specialistëve të mjekësisë familjare që të jenë në vijë me inovacionet e reja në mjekësinë globale.
Programi i Specializimit të Mjekësisë Familjare në Kosovë është program i akredituar ndërkombëtarisht nga Kolegji Mbretëro i Mjekëve të Përgjithshëm i Britanisë së Madhe (RCGP).