Ministri i Punëve të Brendshme, z. Ekrem Mustafa, ka pritur në takim njoftues Shefen e Zyrës së Bashkimit Evropian /Përfaqësuesen e Posaçme të BE-së në Kosovë, znj. Nataliya Apostolova.
Në këtë takim, ministri Mustafa e njoftoi znj. Apostolova me prioritet e tij dhe të Ministrisë së Punëve të Brendshme, ku vuri në pah se luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit do të jenë prioritet kryesore të punës së tij.
Gjithashtu, ministri Mustafa theksoi se MPB është e përkushtuar për të avancuar më tej bashkëpunimin me Zyrën e BE-së në Kosovë dhe vazhdimin e angazhimeve për menaxhimin e procesit pas liberalizmit të vizave për qytetarët e Kosovës.
Në anën tjetër, znj. Nataliya Apostolova, pasi uroi ministrin Mustafa për detyrën e re, tha se Bashkimi Evropian mbetet i përkushtuar në fuqizimin e bashkëpunimit me institucionet e sigurisë dhe se është e gatshme të ndihmojë Kosovën në plotësimin e kushteve në procesin e integrimit evropian.