Ministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa në takim me Oliver Mains, Zyrtar Politik pranë Ambasadës së SHBA-ve, ka pranuar raportin vjetor të Departamentit Amerikan të Shtetit për trafikim me qenie njerëzore.
Në këtë raport janë theksuar nëntë rekomandime të cilat i referohen nevojave për rritjen e efikasitetit në parandalimin, luftimin e trafikimit me qenie njerëzore si dhe kujdesin për viktimat e trafikimit.
Sipas raportit të DASH-it, Republika e Kosovës vazhdon të rangohet në nivelin dy nga tri nivelet themelore, por raporti ka parasysh përpjekjet domethënëse të Qeverisë së Kosovës. Rrjedhimisht sipas raportit Republika e Kosovës ka shënuar progres të dukshëm krahasuar me raportin e vitit të kaluar dhe raportet tjera paraprake.
Ministri Mustafa ka falënderuar partnerët ndërkombëtarë e veçanërisht SHBA-të për përkrahjen e vazhdueshme në fushën e luftimit të trafikimit me qenie njerëzore, derisa është zotuar se në koordinimin me ministritë dhe institucionet tjera shtetërore, do të angazhohet në përmbushjen e rekomandimeve të dala nga raporti i DASHI-it, veçanërisht për një rregullativë ligjore më efikase për mbrojtjen e viktimave të trafikimit.