Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, z. Rrustem Berisha, në përvjetorin e 10-të të Pavarësisë së Kosovës e priti sot në takim ambasadorin e Kanadasë për Kosovë, rezident në Kroaci, z. Daniel Maksymiuk me bashkëpunëtorë.
Ministri Berisha falënderoi ambasadorin Maksymiuk dhe përmes tij Qeverinë dhe ministrin e Mbrojtjes për përkrahjen dhe ndihmën e pakursyer të Qeverisë së Kanadasë për FSK-në, për pritjen e ngrohtë në Samitin e Halifaksit në Kanada si dhe për kontributin e ushtrisë kanadeze në kuadër të KFOR-it, si dhe për bashkëpunimin mes dy ministrive të Kosovës dhe Kanadasë.
Ministri Berisha gjithashtu e njoftoi ambasadorin me të arriturat e përgjithshme të Ministrisë dhe të FSK-së, përfaqësimin e pjesëtarëve të komuniteteve pakicë në FSK dhe për integrimin e komunitetit serb, si dhe për ecurinë dhe sfidat në procesin e transformimit të FSK-së, bashkëpunimin rajonal dhe ndërkombëtar, pjesëmarrjen në Konferencën Karta e Adriatikut –A5..
Ministri Berisha, në fund kërkoi vazhdimin dhe thellimin e bashkëpunimit edhe në të ardhmen, mbështetjen e Kanadasë për Ministrinë dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës.
Nga ana e tij, ambasadori Daniel Maksymiuk, pasi uroi ministrin për 10 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës e falënderoi atë për pritjen, si dhe konfirmoi përkushtimin e Qeverisë së Kanadasë për të rritur dhe thelluar bashkëpunimin në mes dy ministrive dhe dy vendeve përkatëse.