Në Ministrinë e Mbrojtjes, me nderimet më të larta ushtarake, sot ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj priti në vizitë zyrtare, homologun e tij, ministrin e Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë, Niko Peleshi.
Dy ministrat nënshkruan Marrëveshjen e re të bashkëpunimit bilateral në mes të dy ministrive. Në adresimin para mediave, ministri Mehaj, shprehu falënderimin dhe mirënjohjen e thellë për Republikën e Shqipërisë për mbështetjen vëllazërore të ofruar në të gjitha periudhat e ndërtimit, zhvillimit si dhe në të gjitha të arriturat e deritashme të vendit, sikur edhe të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së.
Në vazhdim, ministri Mehaj shprehu mirënjohjen e lartë për rolin dhe kontributin e madh të shtetit shqiptar, si vend anëtar i NATO-s, në sigurinë e përgjithshme të rajonit dhe më gjerë me pjesëmarrjen në operacionet paqeruajtëse.
Ai theksoi edhe rëndësinë e madhe që ka bashkëpunimi bilateral me Ministrinë e Mbrojtjes të Shqipërisë dhe Forcat e Armatosura të saj, duke pasur parasysh përvojën e madhe në procesin e integrimeve euroatlantike dhe Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë në ngritjen dhe zhvillimin e operacionalitetit ushtarak në përgjithësi. Në vazhdim, ministri Mehaj njoftoi me përmbajtjen e marrëveshjes së bashkëpunimit bilateral dhe fushat kryesore të saj.
Nga ana e tij, ministri Peleshi, falënderoi për pritjen vëllazërore si dhe për emocionet e impresionet e veçanta të vizitës me këtë rast.
Ai përgëzoi ministrin Mehaj, për të gjitha të arriturat e deritashme të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së duke konfirmuar angazhimin e Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë në mbështetjen e mëtejme të Ministrisë së Mbrojtjes të Republikës së Kosovës për ngritjen e aftësive dhe kapaciteteve operacionale të FSK-së si dhe integrimin e Kosovës në strukturat euroatlantike dhe iniciativat rajonale të sigurisë në mënyrë që edhe vendi ynë të ofroj kontributin e saj në paqen, sigurinë dhe stabilitetin rajonal dhe global.
Ai në vazhdim shprehu interesimin e tij për intensifikimin e angazhimeve për implementimin e marrëveshjes së bashkëpunimit në mes dy ministrive dhe shprehu zotimin e tij për angazhimin dhe përkushtimin maksimal për të mbështetur vizionin e ministrit Mehaj në planin politik, diplomatik dhe atë ushtarak për të ardhmen.
Në fund, ministri Peleshi ftoi ministrin Mehaj për vizitë zyrtare në Tiranë me fokus në fuqizimin edhe më tej të përkushtimit dypalësh për realizimin e suksesshëm të aktiviteteve të përbashkëta ndërministrore dhe ndërushtarake. /2LONLINE.com/