Në takimin ministrorë të Iniciativës SHBA – Karta e Adriatikut (A5), që po zhvillohet në Tiranë, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, i ftuar nga homologu i tij shqiptar, ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë, Pirro Vengu, iu drejtua kolegëve nga shtetet e rajonit.
Në adresimin e tij, ministri Maqedonci ritheksoi gatishmërinë e plotë dhe aspiratën e fuqishme të Republikës së Kosovës për t’u bërë anëtare me të drejta të plota e kësaj nisme, duke theksuar përkushtimin e Kosovës ndaj sigurisë rajonale dhe integrimeve euro-atlantike.
Ai ngriti shqetësimin për politikat hegjemoniste dhe shovene të Serbisë, duke përmendur refuzimin e saj për të marrë përgjegjësi për agresionin e 24 shtatorit 2023 në Banjë dhe sulmin terrorist të 29 nëntorit ndaj kanalit “Ibër-Lepencit”. Me këtë rast, ministri tha se këto veprime të Serbisë cenojnë jo vetëm sigurinë e Kosovës, por krijojnë një klimë pasigurie në të gjithë rajonin, duke minuar paqen dhe përpjekjet për fqinjësi të mirë në Ballkanin Perëndimor.
Më tej, ministri Maqedonci theksoi se Republika e Kosovës i ka përmbushur të gjitha kriteret për anëtarësim dhe është e gatshme të marrë përgjegjësi të plota, duke dhënë kontributin e saj si anëtare e Iniciativës SHBA – Karta e Adriatikut (A5).
“Nuk ka asnjë forcë, sado agresive në politika dhe brutale në veprime, që mund ta ndalojë rrugën e Kosovës drejt integrimeve euro-atlantike. Për mbrojtjen e sigurisë kombëtare, për paqe rajonale dhe për integrime euro-atlantike!” – u shpreh ministri Maqedonci. /2LONLINE/