Në margjina të Forumit të Sigurisë së Varshavës, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, së bashku me kryeministrin Albin Kurti, takimin e parë bilateral e zhvilluan me ministren e Punëve të Jashtme të Letonisë, Baiba Brazhe, njofton Ministria e Mbrojtjes.
Në këtë takim u diskutua rreth zhvillimeve rajonale dhe situatës së sigurisë në Evropë, sfidat e paraqitura si rezultat i agresionit rus mbi Ukrainën, por dhe lidhjet e afërta që ky agresor ka me Serbinë, e që është rrezik i përhershëm për Ballkanin Perëndimor.
Në këtë aspekt, u theksua dhe rëndësia e shkëmbimit të përvojave në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, bashkëpunimit në avancimin e interesave të përbashkëta dhe promovimin e vlerave që Kosova dhe Letonia ndajnë përballë rreziqeve nga sistemet autokratike.
Ministri Maqedonci u shpreh mirënjohës për mbështetjen e deritanishme që Letonia i ka ofruar Republikës së Kosovës, në anëtarësimin në organizata ndërkombëtare, ndërsa theksoi se me shumë pozitivitet mirëpret bashkëpunimet e radhës. /2LONLINE/