Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka në cilësinë e panelistit mori pjesë në hapjen e Konferencës “Dita e Dialogut të Diasporës” që po mbahet në Këln, kryeqendrën e Landit të North Rhine-Westphalen të Republikës Federale të Gjermanisë.
Të pranishëm në këtë konferencë ishin Presidenti i Shqipërisë Iliri Meta, Nënkryetari i Bashkisë së Këlnit Ralf Heinen, Sekretarja e Shtetit gjerman Serep Guler, kryebashkiakë nga Shqipëria, Ambasadorët e Shqipërisë dhe Kosovës, Konsullja e Nderit Anduena Stephan dhe shumë përfaqësues nga diaspora shqiptare në Gjermani dhe më gjerë.
Konferenca është organizuar nga Shoqata Ideal nën patronatin e Konsullatës së Nderit dhe Ambasadave të Kosovës dhe Shqipërisë në Berlin.
Me këtë rast Ministri Lluka së bashku me përfaqësues tjerë të institucioneve nga Kosova dhe Shqipëria kanë bashkëbiseduar me të pranishmit lidhur me rolin e diasporës shqiptare në zhvillimin e vendeve të origjinës, e veçanërisht rolin e tyre në zhvillimin ekonomik dhe përmirësimin e kushteve për të orientuar investimet e tyre në Kosovë dhe Shqipëri.
Në kuadër të kësaj vizite, Ministri Lluka është pritur edhe nga Kryeministri i Landit North Rhine-Westphalen – Armin Laschet, ku prezent ishin edhe Ministri i Financave të Landit dhe kryetari i Dyseldorfit.
Gjithashtu, Lluka u takua me afaristin e mirënjohur Lazim Destani me të cilin biseduan për mundësitë investimeve në vend.