Ministri i Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Ramë Likaj, bashkë me drejtoreshën e Arsimit në Prishtinë, Shpresa Shala, kanë vizituar sot shkollën fillore dhe të mesme të ulët “Faik Konica” në Prishtinë, për të parë nga afër rrjedhën e ditës së parë të mësimit plotësues për klasat e nënta, para mbajtjes së Testit të Arritshmërisë.
Ministri Likaj, me këtë rast, ka takuar menaxhmentin e shkollës, mësimdhënësit dhe nxënësit, me të cilët ka biseduar për sfidat e organizimit të mësimit plotësues, ndërsa ka kërkuar nga ata të respektojnë Udhëzuesin e hartuar nga MAShTI në të cilin janë të përshkruara në detaje udhëzimet dhe masat të cilat duhet të ndërmerren për të realizuar mësimin plotësues dhe Testin e Arritshmërisë.
Ministri Likaj i ka lutur nxënësit, mësimdhënësit dhe gjithë stafin e kësaj shkolle dhe të të gjitha shkollave në Kosovë, që të respektojnë masat mbrojtëse të rekomanduara nga Ministria e Shëndetësisë dhe IKSHP, përfshirë ato të bartjes së maskave, higjienës dhe distancës sociale, në të gjitha ambientet ku ndodhen dhe të sillen me përgjegjësi, pasi që çdo pakujdesi mund të ndikojë në rrezikun e përhapjes së infeksionit.
Po ashtu, ministri Likaj i ka përgëzuar edhe menaxhmentin dhe mësimdhënësit e kësaj shkolle për ndërtimin e tunelit dezinfektues para objektit të shkollës, si dhe për punimin e maskave mbrojtëse për nxënësit e tyre me kosto minimale, ndërsa theksoi se ky shembull duhet të ndiqet edhe nga institucionet tjera shkollore.