Ministri i Ministrisë së Infrastrukturës, Pal Lekaj po merr pjesë në samitin e vendeve të Ballkanit Perëndimor për TENT-T që po mbahet në Ljubjanë të Sllovenisë, i cili po mbahet nën patronatin e Komisionit Evropian, ku po marrin pjesë vendet si Polonia, Çekia, Rumania, Greqia, Qipro, Italia, Sllovenia, Kroacia dhe gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.
Gjatë këtij samiti, Ministri Lekaj e ka takuar Komisioneren Violeta Bulc dhe Ministrat homolog të rajonit të Ballkanit Perëndimor, me të cilët i ka ndarë përvojat, të arriturat pengesat dhe mundësitë për bashkëpunim ndërmjet vëndeve tona sa i përket sigurisë në rrugë dhe kalimit kufitar. Ministri Lekaj theksoi problemet që po i hasin qytetarët e Kosovës gjatë kalimit të kufirit me Serbinë për shkak të pengesave nga autoritetet serbe edhe përkundër nënshkrimit të marrëveshjeve në procesin e dialogut për lehtësim të kalimit të kufirit ndërmjet dy vendeve tona.
Në fjalën e tij Ministri i Ministrisë së Infrastrukturës Pal Lekaj, tha: “Më lejoni që në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, përkatësisht Ministrisë së Infrastrukturës të ju përgëzoj për organizimin e këtij takimi të rëndësishëm për vendet e Ballkanit Perëndimor. Qeveria e Republikës së Kosovës i jep rëndësi të madhe marrëdhënieve tregtare dhe fqinjësore ndërmjet Kosovës dhe vendeve të rajonit dhe është e mendimit se një gjë e tillë lehtëson rrugën e vendeve tona drejt integrimit evropian. Gjatë këtyre viteve të fundit që nga Samiti i Berlinit, Samiti i Vienës, Samiti i Parisit dhe Samiti i Triestesë është arritur përparim i konsiderueshëm, veçanërisht në përmirësimin e korridoreve të rrjetit Bërthamë (Core Netëork) dhe Gjithpërfshirës të Transportit Rajonal në gjashtë (6) vendet e Ballkanit Perëndimor.
Implementimi i Masave të Reformës së Lidhjeve kanë për qëllim plotësimin e legjislacionit të infrastrukturës në mënyrë që përfitimet nga këto masa të mund të realizohen plotësisht më vonë. Këto masa ndihmojnë në reformimin e sistemeve të transportit të Vendeve të Ballkanit Perëndimor në përputhje me politikat dhe standardet e transportit të BE-së të cilat do të sjellin përfitime të mëdha në drejtim të efikasitetit, sigurisë, besueshmërisë dhe përballueshmërisë së sistemit dhe shërbimeve të transportit dhe me këtë mund të gjenerojnë rritje më të lartë ekonomike dhe të tërheqin më shumë investime.
Procedurat e kalimit kufitar janë identifikuar si pengesë e madhe për tregtinë dhe transportin në rajon në këtë fushë të gjerë dhe që mbulon shumë aspekte të menaxhimit të kufijve përfshirë procedurat, rregullat dhe sistemet për të cilat kërkohet një bashkëpunim i avancuar në mes të autoriteteve të transportit në mënyrë që të zvogëlohet kostoja e transportit të mallrave dhe përmirësimi i qasjes dhe lëvizshmërisë. Kjo pra nuk nëkupton vetëm ndërtimin e infrastrukturës, por ka një kontekst më të gjërë për cka kërkohet një bashkëpunim i sinqertë në mes të vendeve tona. Prandaj, unë besoj se për të përmirësuar situatën duhet një koncept i përbashkët për të harmonizuar orarin e punës, procedurat dhe formalitetet, përvec ndërtimit të objekteve të përbashkëta dhe kontrolleve të përbashkëta. Ne e dimë që efikasiteti i kalimeve kufitare është thelbësor për lëvizjet ndërkufitare të mallrave dhe të transportit. Përfitime të mëdha mund të gjenerohen duke thjeshtuar dhe harmonizuar procedurat dhe duke siguruar kapacitete të mjaftueshme për të trajtuar tregtinë ndërkufitare.
Gjithashtu, mendoj se do të ishte mire aplikimi i sistemit me një ndalese (one stop shop), i cili është gjithpërfshirës dhe përfshin kontrolle të përbashkëta nga ana e policisë kufitare dhe bashkëpunimit të të gjitha agjencive të tjera kufitare. Ekzistojnë edhe sisteme të tjera si Shërbimi Elektronik i Menaxhimit të Radhës (ellektronik kjuing menaxhment servis – I. KJU. M. S.), që e kanë fokusin vetëm tek menaxhimi i kohës, dhe në të cilin qëllimi primar është reduktimi i kohës së pritjes në kufi i cili është dëshmuar të jetë jashtëzakonisht i suksesshëm për menaxhimin dhe zvogëlimin e radhëve në kufijtë e jashtëm të BE me shtetet e lindjes. Shfrytëzojë rastin të falënderojë Komisionin Evropian që ka siguruar Asistencën Teknike për të bërë një Studim për lehtësimin e kalimit kufitar dhe përmirësimin e transportit rrugor ndërkufitar përgjatë Rrjetit TEN-T Bërthamë dhe Gjithëpërfshirës në 6 Shtetet e Ballkanit Perëndimor”, tha ministri Pal Lekaj.
Në konkluzionet e këtij takimi janë dakorduar dy deklaratat që kanë të bëjnë me sigurinë në rrugë dhe kalimin kufitar, ku Republika e Kosovës njihet si vend i barabartë me vendet e tjera në kuadër të përgjegjësive që shprehin këto dy deklarata.