Komuniteti i biznesit duhet të përfshihet qysh në fazat e hershme të procesit të hartimit të legjislacionit që ka ndikim në sektor privat, në mënyrë që të sigurohet që legjislacioni është në përputhje me nevojat e industrisë dhe nxit zhvillimin ekonomik në vend. Ky ishte konkludimi kryesor i tryezës së sotme të Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, ku bizneset patën mundësinë të diskutojnë me ministrin e Tregtisë dhe Industrisë në Kosovë, Endrit Shala.
Arian Zeka, drejtor ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, i uroj mirëseardhjen Ministrit të ri, duke potencuar që kjo ministri është e një rëndësie tejet të veçantë për të gjitha bizneset në vend, marrë parasysh numrin e madh të fushave të cilat i mbulon, nisur nga konkurrenca, mbrojtja e konsumatorit, e deri tek pronësia industriale. Ai shprehu gatishmërinë e Odës Amerikane për të dhënë kontributin e saj në të gjitha fushat me ndikim në mjedisin afarist në vend.
Ilir Ibrahimi, President i Bordit të Guvernatorëve të Odës Amerikane, theksoi rëndësinë e pasjes së një dialogu të mirëfilltë dhe konstruktiv mes sektorit privat dhe atij publik, si e vetmja mënyrë për të garantuar rritjen e sektorit privat në vend. Në këtë drejtim, Ibrahimi sqaroi se Oda Amerikane përfaqëson biznese që vijnë nga sektorë të ndryshëm të ekonomisë, duke rezultuar gjithnjë në kërkesa të balancuara dhe të arsyeshme drejtuar institucioneve.
Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, sqaroi në pika të shkurta disa nga prioritetet e ministrisë që ndërlidhen drejtpërdrejtë me sektorin privat në vend, duke potencuar se Odën Amerikane e sheh si partner shumë konstruktiv. Në mesin e iniciativave të ministrisë, ai theksoi rëndësinë që t’i kushtohet një rëndësi më e veçantë rregullimit të tregut të naftës, si dhe iniciativave për mbrojtjen e konsumatorit. Ministri poashtu sqaroi se gjatë ditëve në vijim do të ketë mundësinë që të adresojë sfidat në marrëdhënieve tregtare me homologun e tij në Republikën e Shqipërisë, në mënyrë që t’i hapet rruga rritjes së tregtisë dhe bashkëpunimit mes dyja vendeve.
Në vijim, bizneset e pranishme patën rastin të diskutojnë më ministrin çështje të ndryshme që ndërlidhen me sektorin privat në vend, duke përfshirë Ligjin për Shoqëritë Tregtare, Ligjin për Mbrojtjen e Konsumatorit si dhe Ligjin për Tregtinë e Brendshme, si dhe sfidat në zbatimin e ligjeve që hyjnë në fushën e të drejtës industriale në vend.