Sot, në ambientet e Kuvendit të Republikës së Kosovës, ministri i Mbrojtjes Anton Quni ka raportuar në mbledhjen e Komisionit Parlamentar për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, për zhvillimet e përgjithshme të FSK-së, ku të pranishëm ishin edhe Komandanti i FSK-së gjenerallejtënant Rrahman Rama, Sekretari i përgjithshëm i MM, z. Faruk Geci, këshilltari ushtarak Kolonel Hamdi Pollomi dhe zyrtarja e lartë e Kabinetit, znj. Martina Dedaj-Kçira. Takimin e udhëhoqi kryetarja e këtij komisioni, znj. Fatmire Kollçaku–Mulhaxha.
Ministri Quni, fillimisht i njoftoi anëtarët e Komisionit Parlamentar për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, për të arriturat dhe objektivat e përgjithshme të FSK-së. “Ministria e Mbrojtjes i ka objektivat e deklaruara që synon t’i arrijë gjatë këtij viti dhe viteve të ardhshme. Objektivat për vitin 2020 – 2021, janë në shërbim të realizimit të planit gjithëpërfshirës të tranzicionit, ku përfshihen çështjet: strategji, politika, akte nënligjore, personelin, zhvillimin në karrierë, krijimin e njësive të reja, rikonstruktimin dhe riorganizimin e Ministrisë dhe FSK-së. Ky proces mbështet me të gjitha ato nevoja nga fusha e teknologjisë ushtarake që do të aplikohet brenda FSK-së, dhe këto së bashku kanë një dinamikë deri në vitin 2027, që çdo njësi veç e veç, por edhe FSK-ja në përgjithësi të shpallen të certifikuara me arritjen e kapaciteteve të plota operacionale“.
Në vazhdim ministri Quni, shtoi se, pavarësisht situatës me pandeminë, operacionaliteti i FSK-së është i tillë që të garantojë, që deri në vitin 2027, do të arrijë t’i deklarojë kapacitetet e plota, që FSK të jetë garantuese e sovranitetit dhe integritetit të Kosovës, të jetë plotësisht e gatshme t’i përgjigjet nevojave të autoriteteve civile për asistencë, dhe e gatshme të zbarkoj jashtë vendit në operacione paqeruajtëse. Ministri Quni, më tej ka shtuar se për çdo objektiv duhet një angazhim i veçantë, sepse kërkon dinamik të diplomacisë së jashtme, ekspertizë të lartë të FSK-së, dhe besueshmëri te komuniteti ndërkombëtar.
Po ashtu, gjenerallejtënant Rrahman Rama, i njoftoi të pranishmit me zhvillimet më të reja në planin e përgjithshëm të FSK-së, aktivitetet për realizimin e objektivave dhe planit gjithëpërfshirës të tranzicionit.