Ministri Quni ndjek nga afër stërvitjet fushore të njësiteve të Komandës së Forcave Tokësore (foto)

Ministri Quni ndjek nga afër stërvitjet fushore të njësiteve të Komandës së Forcave Tokësore (foto)

Ministri i Mbrojtjes Anton Quni së bashku me gjeneralmajor Enver Cikaqin dhe stafin e tij, sot ka ndjekur nga afër zhvillimin e stërvitjes fushore “Kompania në mbrojtje” të realizuar nga kompania A3 e regjimentit të tretë të forcave tokësore të FSK-së që u realizua në zonën e Qiqavicës.

Në vazhdim Ministri Quni vizitoi edhe pjesëtarët gjatë demonstrimit praktik të trajnimit „Komando-Bereta“, që është duke u realizuar në zonën e fshatit Ceceli të komunës së Vushtrrisë. Për zhvillimin, objektivat e synuar të stërvitjes dhe trajnimit përkatës si dhe kapacitetet njerëzore e teknike të angazhuara, ministrin Quni e njoftoi komandanti i Komandës së Forcave Tokësore (KFT) gjeneral Fadil Hadërgjonaj.

Nga ana e tij, ministri Quni, përgëzoi KFT-në duke vlerësuar lart angazhimin edhe në këtë kohë të përballjes me krizën pandemike, në trajnime e stërvitje të niveleve e formateve të tilla, duke treguar nivel të lartë, disiplinë e profesionalizmi për arritjen e aftësive taktike operuese për realizimin e misionit dhe detyrave specifike të komandës së forcave tokësore dhe FSK-së në përgjithësi.

“Unë kam marrë raportet e përditshme të punës dhe angazhimit tuaj dhe jam i vetëdijshëm për sfidat dhe vështirësitë nëpër të cilat keni kaluar gjatë kësaj periudhe, por me moral të lartë, kalitje fizike dhe shkathtësitë e duhura profesionale keni arritur t’i përballoni me sukses” tha ndër të tjera ministri Quni.

Trajnimi “Komando-Bereta” është duke vijuar dhe është trajnim në kuadër të planit vjetore të trajnimeve sipas planit të tranzicionit për ngritjen e aftësive dhe kapaciteteve operacionale për mbrojtjen territoriale të vendit. /2LONLINE.com/

 

KOMENTE