Ministri i FSK-së, Rrustem Berisha sot ka vizituar në vendngjarje pjesëtarët e FSK-së të Njësisë së Kërkim Shpëtimit në Ujëra dhe Male, të cilat janë duke zhvilluar operacione kërkimi për dy pjesëtarët e aksidentuar të Policisë së Kosovës, përgjatë rrjedhës së lumit Lepenc, nga vendi i aksidentit deri në kufi me Maqedoninë.
Me këtë rast, Ministri i FSK-së, Rrustem Berisha është ndalur në tri pika të operimit ku ishin duke vepruar njësitë e kërkim shpëtimit të FSK-së. Me këtë rast ai i ka bashkëbiseduar me ta, për angazhimin dhe vështirësitë që po hasin gjatë kërkimit.
Në ditën e katërt të operacionit nga FSK janë angazhuar 28 pjesëtar nga njësia Kërkim Shpëtimit me pajisje specialistike përkatëse. Në operacion pjesëtarët e FSK-së ishin së bashku edhe me njësitë e AME (Agjensionit për Menaxhimin e Emerxhencave), njësinë speciale të policisë dhe ata të Shoqatës së Alpinistëve.
Ekipi i fundit i njësisë së FSK-së ishte duke operuar në zonë fundore në kufi me Maqedoninë, duke lëvizur për gjatë rrjedhës së lumit. Në bashkëbisedim me pjesëtarët e kërkim shpëtimit ministri Rrustem Berisha vlerësoi lartë angazhimin e pjesëtarëve të FSK-së, duke theksuar se është ditë feste, se jeni në rrethana të vështira, me ujë të ftohtë dhe të rrëmbyeshëm, ju po tregoni përkushtim dhe angazhim të jashtëzakonshëm, për çka i vlerësoi dhe përgëzoi të gjithë pjesëtarët e FSK-së.
Para mediave Berisha deklaroi: “Është ditë feste, është festa 1 majit, njësitë tona vazhdojnë operacionin në kërkimin të dy policëve të aksidentuar. Ne kemi ardhur sot që të inkurajojmë pjesëtarët tanë që ta kryejnë punën sa më mirë, jemi shumë mirënjohës për punën e mirë, punën profesionale që po e bëjnë të gjitha ekipet që janë në teren. Sot kemi dal me numër më të madh të ekipeve të kërkim shpëtimit, si në ujëra ashtu edhe dhe male. Pjesëtarët e njësive të kërkim shpëtimit po bëjnë një punë të shkëlqyeshme, pjesëtarët tanë po bëjnë maksimumin duke e kontrolluar terrenin me radhë. Presim rezultate. Ne do vazhdojnë që të përfundojmë operacionin me sukses ashtu si është paraparë. Sigurisht se ky operacion do të vazhdojë edhe më tej”.
Ministri Berisha në këtë vizitë tërë kohën u shoqërua nga kryetari i komunës së Hanit të Elezit Rufki Suma dhe shefi i AME, Fadil Kodra.