Ministri i Financave Bedri Hamza ka pritur sot në takim ambasadorin e Sllovenisë në Kosovë Bojan Bertoncelj, ku diskutuan për vazhdimin dhe thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, sidomos në shkëmbimin e përvoja në fushën e financave publike si dhe për vizitën që pritet të bëjë Ministri Hamza ne Slloveni gjatë javës së ardhshme.
Ministri Hamza gjithashtu e njoftoi Ambasadorin Bertoncelj për zhvillimet buxhetore si dhe për prioritetet e Qeverisë dhe planin e adresimit të sfidave në fushën e ekonomisë për ruajtjen e rritjes ekonomike dhe ruajtjen e indikatorëve makro fiskal, si dhe për përkushtimin në fuqizimin e sektorit privat si bartës të rritjes ekonomike në vend dhe hapjes së vendeve të reja të punës.
Ambasadori slloven në Kosovë Bojan Bertoncelj e falënderoi ministrin Bedri Hamza për bashkëpunimin si dhe për progresin e arritur të Kosovës në fushën e financave, në veçanti në hapat e saj në implementimin e MSA-së. Me këtë rast Ambasadori Bertoncelj shprehi gjithashtu gatishmërinë e shtetit slloven për ta përkrahur Kosovën në proceset integruese të saj drejt Bashkimit Evropian.