Ministri i Financave Bedri Hamza ka pritur sot në takim ambasadorin e Italisë në Kosovë Piero Cristoforo Sardi, me të cilin u zotuan që të thellohet bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve, në veçanti në fushën e ekonomisë dhe financave.
Me këtë rast, Ministri Hamza e falënderoi ambasadorin Piero Cristoforo Sardi për kontributin dhe bashkëpunimin e tij të ngushtë me Institucionet e Kosovës, si dhe e njoftoi atë për prioritetet e Qeverisë dhe planin e adresimit të sfidave në fushën e ekonomisë për ngritjen e shkallës së rritjes ekonomike në nivel për të ndryshuar strukturën e importit dhe për të ulur nivelin e papunësisë. Reformat strukturore do të bëhen duke ruajtur qëndrueshmërinë makro-fiskale, me përkushtim dhe fokus për të fuqizuar sektorin privat si bartës të zhvillimit ekonomik në vend.
Ndërsa, ambasadori italian Piero Cristoforo Sardi e falënderoi Ministrin Hamza dhe e uroi për postin e ministrit, si dhe shprehi gatishmërinë e shtetit të tij për zgjerimin e bashkëpunimit me Kosovën, në veçanti në zhvillimin ekonomik, forcimin e rendit dhe ligjit me qëllim të tërheqjes së investimeve të huaja.