Ministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Bejtush Gashi, i shoqëruar nga Drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj po vazhdojnë të qëndrojnë në Austri, ku patën një takim bilateral me zëvendësministren e Punëve të Brendshme të Austrisë, znj. Karoline Edtstadler.
Gjatë këtij takimi u bisedua lidhur me liberalizimin e vizave për Republikën e Kosovës, anëtarësimin e Policisë së Kosovës në INTERPOL dhe për migrimin.
Me këtë rast, ministri Gashi tha se Kosova përballet me sfida të brendshme dhe rajonale në fushën e krimit të organizuar dhe trafikimit të drogës, prandaj theksoi se anëtarësimi i Kosovës në INTERPOL ndihmon vendin në luftë kundër këtyre fenomeneve negative.
Ndërsa zëvendësministrja e Punëve të Brendshme të Austrisë, znj. Edtstadler tha se shpreson se partneriteti i Kosovës me Austrinë do të vazhdojë edhe në të ardhmen, në fusha dhe projekte të ndryshme, që ndihmojnë në ruajtjen e sigurisë.
Sa i përket liberalizimit të vizave, ministri Gashi u shpreh falënderues për ndihmën që ka dhënë shteti austriak, si dhe potencoi përkushtimin e Kosovës në menaxhimin e këtij procesi, fillimin e fushatave vetëdijesuese për qytetarët e Kosovës, në lidhje me kriteret që duhet respektuar pas liberalizmit të vizave.
Ministri Gashi ritheksoi punën e mirë që ka bërë Ministria e Punëve të Brendshme në procesin e Ri integrimit të personave që janë kthyer në Kosovë nga vendet ku kishin migruar.
Gjatë qëndrimit zyrtar në Austri, ministri Bejtush Gashi gjithashtu është takuar edhe me zëvendësministrin e Republikës se Çekisë, z. Jiri Novacek, ku biseduan për sfidat që përballen të dyja vendet në fushën e sigurisë, si dhe bashkëpunimi mes dy vendeve në të ardhmen.