Ministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Bejtush Gashi, ka pritur në takim udhëheqësin e Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Shërbime të Projekteve (UNOPS), Brendan Keirnan.
Në këtë takim u diskutua ecuria e zhvillimit të punimeve të tre pikave të përbashkëta kufitare me Serbinë në Merdare, Mutivodë dhe Bernjak, në kuadër të Menaxhimit të Integruar të Kufirit.
Me këtë rast u vlerësua se punët në pikën kufitare në Merdare dhe Mutivodë janë shumë afër përfundimit. Këto pika kufitare do të jenë moderne dhe me standarde evropiane, ku do të iu mundësohet qytetarëve lëvizja e lirë.
Të dy bashkëbiseduesit shprehën shqetësimin e tyre për ngecjen e punimeve në pikën kufitare të Bërnjakut.
Ministri Gashi u zotua se këtë çështje do ta adresojë edhe në nivelin më të lartë, me qëllim që kjo pikë kufitare të modernizohet dhe të lehtësohet kalimi i qytetarëve dhe mallrave.
Ai falënderoi z. Keirnan për punët që janë realizuar dhe siguroi se të gjitha sfidat e identifikuara do të trajtohen me prioritet.
Gjithashtu, në këtë takim u dakorduan që edhe në të ardhmen të vazhdohet bashkëpunimi mes MPB-së dhe UNOPS për projekte tjera.