Ministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Bejtush Gashi, ka pritur sot në takim njoftues ambasadorin e Zvicrës në Kosovë, Jean-Hubert Lebet.
Ministri Gashi falënderoi ambasadorin zviceran për mbështetjen e vazhdueshme që ka dhënë shteti i tij për Republikën e Kosovës, veçanërisht për MPB, sa i përket projekteve të përbashkëta, kryesisht sa i përket çështjes së migrimit.
Në këtë takim ambasadori zviceran i uroi ministrit Gashi pranimin e detyrës së re si ministër i Punëve të Brendshme dhe premtoi se shteti zviceran do të vazhdojë të jetë përkrahës në proceset nëpër të cilat po kalon Republika e Kosovës.
Të dy bashkëbiseduesit fokus të veçantë i dhanë çështjes së migrimit. Ata vlerësuan se ka pasur një bashkëpunim të mirë në çështjen e menaxhimit të migrimit dhe se ky bashkëpunim do të vazhdojë edhe në të ardhmen.