“Ministria e Financave sot fillon me implementimin e masave të politikës fiskale. Këto masa që sot fillojnë të implementohen kanë ardhur si rezultat i kërkesave të biznesit dhe objektivave të Ministrit të Financave për ta ndihmuar zhvillimin e prodhimtarisë së vendit tonë”, ka thënë sot ministri i Financave Bedri Hamza në takim me përfaqësuesit e komunitetit të biznesit.
Me këtë rast, ministri Bedri Hamza bëri të ditur se sot ka marr vendim që ti përcjell në Qeveri Vendimet dhe Udhëzimet Administrative, të cilat do të finalizohen gjatë muajit tetor, ndërsa do të fillojnë të krijojnë efekt material nga data 01 janar 2018 kur edhe fillon viti fiskal.
Lirimet nga tatimi doganor për të gjithë prodhuesit e vendit tonë të cilët janë të autorizuar nga Administrata Tatimore e Kosovës për të drejtën e shtyrjes së TVSH-së.
Ministri e ka potencuar edhe me herët se objektiv i yni është që ta ndihmojmë zhvillimin e sektorit privat, përkatësisht prodhuesve brenda vendit tonë dhe të gjithë atyre që vijnë për të investuar në vendin tonë.
Për këtë arsye sot të gjitha lirimet nga tatimi doganor dhe akciza kanë të bëjnë me fushën e ndihmës së prodhimtarisë me këtë rast:
1. Është liruar nga tatimi doganor lënda e parë që shfrytëzohet në proces të prodhimit.
2. Lirohen nga tatimi doganor gjysmë produktet të cilat përdoren në proces të prodhimit.
3. Lirohen nga tatimi doganor të gjitha linjat e makinerive prodhuese të cilat përdoren në hapësira prodhuese për prodhim.
4. Lirohen nga tatimi doganor pajisjet e teknologjisë së informacionit.
5. Lirohen nga tatimi i akcizës të gjithë prodhuesit pavarësisht se a importojnë vetë apo përmes kontraktorëve për të gjitha burimet e energjisë të cilat përdoren si lëndë ndihmëse në procesin e prodhimit siç janë:
a) Mazuti,
b) Gazi,
c) Nafta , etj.
6. Do ti propozohet Qeverisë të aprovoj Udhëzimin Administrativ për shënjimin e miellit, i cili vendoset në qarkullim të lirë në tregun e Republikës së Kosovës.
Sipas ministrit Bedri Hamza, ky është hapi i parë i masave të politikës fiskale të cilat janë harmonizuar edhe me kërkesat e biznesit.
“Përveç lëndës së parë, ne kemi liruar edhe gjysmë produktet të cila përdoren në proces të prodhimit në të gjitha linjat e prodhimit të cilat përdoren në proces të prodhimit nga ana e prodhuesëve. Po ashtu edhe te tatimi i akcizës lirohen të gjitha burimet e energjisë të cilat përdoren si lëndë ndihmëse në proces të prodhimit. Pra nuk lirohet vetëm mazuti por lirojmë nga tatimi i akcizës për të gjitha burimet e energjisë, mazut, gaz, naftë, etj” ka shtuar Ministri Hamza.
Ai gjithashtu bëri të ditur se “Të gjitha këto masa të lirimit nga tatimi doganor dhe tatimi i akcizës do ta ndihmojnë prodhimtarinë e vendin tonë dhe do të na bëjnë një treg më atraktiv për investime të huaja”.
“Po ashtu sot është themeluar edhe Këshilli Konsultativ si një mekanizëm formal i komunikimit Biznes – Ministri e Financave. Këshilli do ta sjell një frymë të sinqertë bashkëpunimi në mes të Ministrisë së Financave dhe Biznesit, do të jetë një mjet transparence për çdo vendim që do të merret nga ana e Ministrisë së Financave që ka të bëjë me jetën e biznesit në Kosovë” shtoi Ministri Hamza.