Ministri i Ministrisë për Forcën e Sigurisë së Kosovës, z. Rrustem Berisha dhe Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Rrahman Rama pritën në takime të ndara në Ministri, Komandantin e Gardës Kombëtare të Ajovës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, gjeneral majorin Timothy Orr.
Fillimisht, ministri Rrustem Berisha dhe gjeneral majori Timothy Orr biseduan për marrëdhëniet dhe partneritetin e suksesshëm ndërmjet FSK-së dhe Gardës Kombëtare të Ajovës, partneritet ky në kuadër të partneritetit shtetëror ndërmjet Republikës së Kosovës dhe shtetit të Ajovës.
Ministri Berisha e vlerësoj lartë angazhimin konkret të Gjeneral Orrit dhe Gardës Kombëtare të Ajovës për mbështetjen e vazhdueshme që po ofron për FSK-në, e sidomos në realizimin në tërësi të planit të aktiviteteve të përbashkëta vjetore, qoftë të ushtrimeve, trajnimeve dhe shkollimeve si edhe shkëmbimeve tjera që FSK dhe garda e Ajovës zhvillojnë për çdo vit, që nga viti 2011 e deri më tani.
Gjithashtu edhe në takimin e gjenerallejtënant Rrahman Ramës dhe gjeneral major Timothy Orr u bisedua mbi sukseset e bashkëpunimit intensiv në mes të FSK-së dhe Gardës Kombëtare të Ajovës si dhe u diskutua gjithashtu për objektivat për avancimin e këtij bashkëpunimi me zotimin për një koordinim dhe bashkëpunim të vazhdueshëm edhe në të ardhmen.