Me rastin e pranimit të një donacioni nga Qeveria e Holandës, ministri i Ministrisë për Forcën e Sigurisë të Kosovës, z. Haki Demolli dhe komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, pritën sot në vizitë pune, ambasadoren e Holandës në Republikën e Kosovës, znj. Gerrie Willems.
Ministri Demolli dhe ambasadorja Willems biseduan edhe për marrëdhëniet e mira ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Holandës, me theks të veçantë për bashkëpunimin e mirë ndërmjet dy ministrive të Mbrojtjes. Ministri Demolli dhe gjeneral Rama, me këtë rast e njoftuan ambasadoren me zhvillimet dhe të arriturat e përgjithshme të FSK-së. Gjithashtu ministri Demolli dhe ambasadorja biseduan edhe për mundësitë e shtrirjes së bashkëpunimit edhe në fusha tjera përkatëse në mes dy ministrive.
Nga ana e saj, ambasadorja Willems, premtoi se do të angazhohet për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Holandës.
Pas takimit në kazermën “Adem Jashari” u mbajt ceremonia e dorëzim-pranimit të donacionit të Qeverisë së Holandës për Forcën e Sigurisë së Kosovës, në vlerë mbi 22 mijë euro. Donacioni ka të bëjë me makina qepëse të trikotazhit dhe tapiceri me materiale përcjellëse të mirëmbajtjes. Kurse trajnimin profesional për përdorim të këtyre makinave, të pjesëtarëve të FSK-së, e ka mundësuar Qeveria e Gjermanisë përmes Forcave të Armatosura të saj. Dorëzimin e këtij donacioni e bëri ambasadorja e Holandës, znj. Gerrie Willems dhe e pranoi ministri i FSK-së, z. Haki Demolli.
Në takim ishin prezent atasheu ushtarak i Holandës, nënkoloneli Plijner dhe këshilltari gjerman për Logjistikë në MFSK-së, nënkoloneli Michael Gierse, të cilët dhanë kontribut për realizimin e donacionit për FSK-në.