Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës Rrustem Berisha gjatë vizitës së tij në Kanada, ku mori pjesë në punimet e Forumit Ndërkombëtarë për Siguri në Halifaks, ka zhvilluar një varg takimesh bilaterale me homologë nga shtete mike të Republikës së Kosovës.
Fillimisht, ministri Berisha u prit në takim nga nikoqiri i konferencës, ministri i Mbrojtjes së Kanadasë, Harjit Sajjan, me të cilin zhvilluan një takim miqësor, ku u bisedua kryesisht për marrëdhëniet e mira ndërmjet Kanadasë dhe Kosovës si dhe për gjetjen e mundësive për intensifikimin dhe konkretizimin e marrëdhënieve në të ardhmen.
Në Halifax, ministri Berisha zhvilloi takim zyrtar edhe me ministrin e Mbrojtjes së shtetit të Zvicrës, z. Guy Parmelin, përmes të cilit ka falënderuar popullin e Zvicrës dhe autoritetet e këtij shteti për përkrahje të qëndrueshme si dhe kontributin për paqe dhe siguri ndaj Republikës së Kosovës dhe më gjerë.
Ministri Berisha gjatë takimit me ministrin e Mbrojtjes së Zvicrës theksoi nevojën për ngritjen e nivelit të bashkëpunimit edhe në fushën e sigurisë ndërmjet dy vendeve.
Nga ana a tij, ministri Permelin theksoi se Zvicra do të jetë mbështetëse e vazhdueshme e Kosovës. Bashkëpunimi nuk ka munguar asnjëherë dhe do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Zvicra ka një komunitet të madh të shqiptarëve dhe kontakti Kosovë – Zvicër nuk ka munguar asnjëherë. Zvicra është edhe një ndër vendet e para që e ka njohur Republikën e Kosovës dhe do të vazhdojë ta përkrahë atë.
Ministri Berisha zhvilloi takim bilateral edhe me ministrin e Mbrojtjes të Estonisë, zotëri Juri Luik me ç’ rast u shkëmbyen pikëpamjet e përbashkëta për sfidat e rajonit dhe për vlerat euroatlantike që ndajnë të dy vendet. Ministri Berisha ka falënderuar ministrin Luik dhe shtetin e Estonisë për kontributin e këtij shteti në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në Kosovë dhe rajon si dhe ka theksuar nevojën për thellimin e bashkëpunimit në mes të MFSK-së dhe Ministrisë së Mbrojtjes së Estonisë, duke i kërkuar atij angazhim për arritjen e Marrëveshjes së Bashkëpunimit në mes dy vendeve dhe dy ministrive përkatëse.
Gjithashtu, ministri Berisha pati takim edhe me ish kryeministrin e Suedisë dhe diplomatin e shquar të Suedisë z. Carl Bildt.
Ne takimin e tyre të përbashkët, ata shprehen pikëpamjet e tyre rreth sfidave dhe kërcënimeve për Kosovën dhe rajonin. Po ashtu folën lidhur me zhvillimin e FSK si dhe procesin e transformimit të saj.
Ministri Rrustem Berisha nga ana e tij tha se FSK-ja si forcë shumetnike dhe profesionale po na bën krenar çdo ditë me pjesëtarët e saj, me sukseset e tyre të panumërta nëpër shkollat ushtarake me prestigjioze.
Diplomati suedez Bildt, e uroi ministrin Berisha për sukseset dhe njëherësh Republikës së Kosovës i uroi rrugëtim të mbarë drejt anëtarësimit në integrimet euroatlantike, duke u shprehur se kjo siguron paqe dhe siguri të mëtejme në rajon.
Ministri Berisha gjatë punimeve të Forumit Ndërkombëtar për Siguri ka zhvilluar edhe një varg takimesh me personalitete nga fusha e mbrojtjes dhe sigurisë dhe ka shkëmbyer pikëpamjet për këtë fushë me interes.
Në punimet e Konferencës Ndërkombëtare për Siguri, ministri i FSK-së, Rrustem Berisha mori pjesë me ftesë zyrtare të ministrit të Mbrojtjes të Kanadasë Hajrit Sijjan.