Në mjediset e Ministrisë së Mbrojtjes sot u zhvillua ceremonia e pranim- dorëzimit të autoritetit të drejtorit të Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s, nga gjeneral brigade Uwe Becker tek gjeneral brigade Michael Oberneyer.
Në ceremoni mori pjesë edhe kryeministri i vendit, z. Ramush Haradinaj, ministri i Mbrojtjes z.Rrustem Berisha, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, komandanti i KFOR-it, gjeneral Lorenco D’Adario, zëvendës shefi i Bundesverit, gjeneral major Thorsten Poschwatta si dhe oficerë të lartë të FSK-së, KFOR-it, NALT-it e mysafirë të tjerë.
Në fillim, kryeministri i vendit, z. Ramush Haradinaj ka falënderuar gjeneralin Becker për kontributin e tij për Ministrinë e Mbrojtjes dhe FSK-në si dhe i ka uruar shërbim të suksesshëm në misionin e tij gjeneralit Oberneyer.
Me këtë rast, ministri i Mbrojtjes Rrustem Berisha çmoi lart angazhimin e drejtorit të NALT-it, gjeneral Uwe Becker e sidomos koordinimin dhe bashkëpunimin në fazën shumë të rëndësishme për Ministrinë e Mbrojtjes dhe FSK-në. Ministri Berisha në fjalën e tij tha:” Sot me rastin e pranim-dorëzimit të detyrës së drejtorit të NALT-it, më lejoni që në emër të Ministrisë së Mbrojtjes dhe në emrin tim personal ta falënderoj gjeneral brigade Uwe Becker për angazhimin dhe kontributin e jashtëzakonshëm në një periudhë shumë të rëndësishme të zhvillimit tonë. Forca e Sigurisë së Kosovës përgjatë 10 viteve është trajnuar dhe zhvilluar me ndihmën e ekspertëve të NATO-s, përmes ekipeve trajnuese, këshillëdhënëse dhe ndërlidhëse. Falë kësaj ndihme dhe ndihmës dypalëshe të aleatëve, FSK-ja është dhe do të vazhdojë të jetë një forcë profesionale, shumetnike dhe e besueshme, ku llojllojshmëria etnik dhe gjinor është dhe do të mbetet vlerë’’.
Më tej, ministri Berisha theksoi se me gjeneralin Becker gjatë kësaj periudhe ka pasur bashkëpunim konstruktiv, të hapur dhe mirëkuptim të ndërsjellë siç kanë miqtë dhe partnerët në një histori të përbashkët suksesi. Duke iu drejtuar gjeneralit Becker ai tha: ,,Gjeneral Becker, me afërsinë tuaj si bashkëpunëtor dhe me kontributin që keni dhënë gjatë mandatit tuaj, keni fituar shumë miq në vendin tonë dhe besoj që Kosova do të zë një vend të veçantë në karrierën dhe në jetën tuaj. Andaj, gjeneral Becker, miku im Uwe, të jemi shumë mirënjohës për gjithë atë që ke bërë për FSK-në dhe Ministrinë e Mbrojtjes’’.
Gjithashtu, ministri i Mbrojtjes i uroj mirëseardhje drejtorit të ri të NALT-it, gjeneralit Oberneyer duke iu drejtuar me fjalët: ,,uroj ta vazhdoni dhe ta avanconi punën e mirë që ka bërë gjenerali Becker. Unë ju ofroj bashkëpunim të hapur dhe profesional, me transparencë të plotë që do ta forcojë edhe më tej besimin e ndërsjellë dhe thellimin e raporteve të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së me NALT-in’’.
Në fund të fjalës së tij, ministri Rrustem Berisha i ka shprehur konsideratë të lartë komandantit të KFOR-it, gjeneral D’Adarion për angazhimin e KFOR-it, për bashkëpunimin e shkëlqyer dhe ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Kosovë dhe rajon.
Nga ana e tij, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama vuri në pah, së pari, periudhën e ndjeshme në të cilën gjenerali Becker ka shërbyer në Kosovë. Duke iu drejtuar gjeneralit Becker ai tha: ,,Gjeneral Becker, fillove në një kohë jashtëzakonisht të vështirë. Kur tranzicioni apo transformimi ishin problemi më i madh yni dhe i shoqërisë kosovare, ne filluam bashkërisht për të ndërtuar besim, transparencë dhe përkushtim për të ecur përpara edhe përkundër dilemave të cilat ekzistonin asaj kohe lidhur me tranzicionin e FSK-së. Angazhimi juaj ishte përcaktues në evitimin e keqkuptimeve midis Kosovës dhe NATO-s në rrugëtimin tonë drejt mandatit të ri. Ekipi i NALT-it po kontribuon dhe po ndihmon FSK-në në zhvillimin dhe ngritjen profesionale të saj, andaj puna juaj si drejtor dhe këshillat tuaja dhe të stafit tuaj po e ndihmojnë Kosovën dhe FSK-në në zhvillimin e mekanizmit të sigurisë dhe mbrojtës me standarde të NATO-s. FSK-ja po vazhdon të jetë profesionale, e gatshme dhe kontribuuese në të mire të gjithë qytetarëve të vendit, pa dallime etnike dhe fetare. Gjeneral Becker, ishit shumë i përkushtuar që FSK-ja të vazhdojë të edukohet, trajnohet dhe të operojë me disiplinë dhe profesionalizëm. Ju siguroj të gjithëve se të tillë do jemi gjithherë, edhe atëherë kur ne të kemi kapacitet e plota ushtarake, vizioni ynë është i qartë: nuk ka rrugë tjetër përveç rrugës së përbashkët me NATO-n’’.
Në fund, gjeneral Rama në emër të gjithë pjesëtarëve të FSK-së ka falënderuar gjeneralin Becker për kontributin dhe mënyrën unike të një lideri, ushtaraku dhe miku si dhe i ka dëshiruar mirëseardhje gjeneralin Oberneyer. ,,Faleminderit Gjeneral Becker, do të jesh pjesë e historisë. Këshillat tuaja më kanë ndihmuar personalisht dhe profesionalisht. Por, të gjitha këto të arritura nuk kishin mund të bëhen edhe pa përkrahjen e ekspertizës që stafi juaj mbart me vete. Ne do të vazhdojmë bashkërisht rrugëtimin e ndërtimit të aftësive të reja në mënyre graduale, sipas planifikimit edhe me gjeneral Oberneyer. Gjeneral Oberneyer, mirë se erdhe në Kosovë’’.
Në fjalën e tij përshëndetëse, gjenerali Uwe Becker tha: ,,Ne kemi arritur një marrëdhënie të shkëlqyeshme pune, në një mjedis të respektit reciprok, besimit dhe transparencës me kolegët tanë të FSK-së. Brenda mandatit tonë përkatës, ne kemi punuar së bashku për një qëllim: zhvillimin e një FSK-je profesionale, me përfaqësim nga të gjitha komunitetet, duke punuar për të mirën e të gjithë qytetarëve në Kosovë”.
Para se drejtori i NALT-it, gjeneral Uwe Becker t’i dorëzojë detyrën pasardhësit të tij në detyrën e drejtorit të NALT-it, gjeneralit Michael Oberneyer, ministri i mbrojtjes Rrustem Berisha dekoroi gjeneralin Becker me Medaljen për shërbim të shquar, ndërsa komandanti i FSK-së e dekoroi me Medaljen për shërbim vetëmohues, në shenjë falënderimi dhe respekti për bashkëpunimin dhe koordinimin e shkëlqyer sa ishte në detyrën e drejtorit të ekipit të NATO-s.
Ekipi Këshillëdhënës dhe Ndërlidhës i NATO-s u krijua në gusht 2016. Misioni i tij është të mbështesë zhvillimin e mëtejshëm të organizatave të sigurisë në Kosovë që përfshinë ofrimin e këshillave dhe mbështetjes me fokus në koordinimin e ndërtimit të kapaciteteve, edukimit dhe trajnimit.