Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta ka përshëndetur vendimin e pesë partive politike shqiptare të Luginës së Preshevës që në zgjedhjet parlamentare të 21 qershorit të garojnë me një listë të unifikuar zgjedhore.
Postimi i plotë i presidentit Meta:
Përshëndes ngrohtësisht dorëzimin e listës së përbashkët të partive politike shqiptare të Luginës së Preshevës për zgjedhjet parlamentare të 21 qershorit.
Shpreh bindjen se pjesëmarrja sa më masive e shqiptarëve në zgjedhje, bashkëpunimi i të gjitha subjekteve politike për rritjen e përfaqësimit të shqiptarëve, si dhe bashkëpunimi i tyre i ngushtë me faktorin ndërkombëtar do të garantojnë forcimin e zërit të popullsisë shqiptare, në funksion të plotësimit të kërkesave dhe të drejtave të tyre legjitime në Serbi.