Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, ka reaguar ndaj ndalimit të kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj nga policia franceze.
Meta është shprehur i befasuar nga lajmi për ndalimin e Haradinajt në bazë të një urdhri të vjetër arresti të lëshuar nga Serbia, por beson se autoritetet policore franceze do të qartësojnë rrethanat e pakuptimta të këtij ndalimi dhe do të veprojnë shpejt për t’i kthyer të drejtën e lëvizjes së lirë dhe të ligjshme kryetarit të AAK-së.
Meta ka theksuar se ky veprim është i pakuptimtë, i papranueshëm dhe nuk ndihmon frymën e dialogut dhe bashkëpunimit të deritanishëm mes Prishtinës dhe Beogradit. Ai u ka bërë thirrje autoriteteve franceze dhe atyre të Bashkimit Evropian për të zgjidhur këtë incident, për të qartësuar qëndrimin e tyre lidhur më këtë rast e për të parandaluar përsëritjen e rasteve të tilla në të ardhmen.