Organizuar nga dy OJQ Kosovare, LENS nga Prishtina dhe KCIC nga Gjilani, Qytetarëve dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile nga Gjilani, sot u janë prezantuar mundësit për të shikuar se sa janë të ekspozuar në internet.
Përmes aktivitetit të quajtur “Sa di interneti për ty” në qendër të qytetit pranë komunës është vendosur një pikë informuese dhe se ekspertët e Teknologjisë Informative, kanë ndihmuar individët e interesuar të shikojnë nivelin e informatave te tyre personale që janë në dispozicion në internet.
Jo vetëm nga trendet globale, disa shkelje të të drejtave të njeriut, lirive dhe demokracisë janë shfaqur ose përkeqësuar gjatë zhvillimeve teknologjike edhe në Kosovë. Rritja e përdorimit të internetit, ku Kosova është afër vendeve më të zhvilluara me penetrim, ka ngritur shqetësime rreth shkeljeve të privatësisë, sigurisë së të dhënave personale dhe kufizimeve në lirinë e fjalës, informacionit dhe mediave.
Sidomos përdorimi i mediave sociale, ka bërë që një sasi e madhe e informatave personale papritur të jetë në dispozicion për audiencën e gjerë, pa shumë diskutime për rreziqet të cilat bartin. Pjesëmarrësit e këtij aktiviteti sot patën rastin të mësojnë për të ashtuquajturën gjurmën digjitale, sikurse edhe si të mbrojnë informacionet e tyre personale për shkak të shqetësimeve për privatësi ose rrezikut nga abuzime.
Banorët e Gjilanit dhe organizatat e shoqërisë civile nga rajoni më i gjerë e mirëpritën këtë përpjekje dhe ishin të kënaqur të mësojnë se janë duke u zhvilluar projekte të cilat adresojnë dëmtimet e ekspozimit gjithnjë e në rritje të informacioneve personale në internet.
Fletushkat që u shpërndanë shpjegojnë keqkuptimet e zakonshme në lidhje me anonimitetin e internetit gjatë kërkimeve dhe surfimit, sasinë e informacionit që ruhet nga shfletuesit ndryshe siç njihet ‘histori’, si dhe rolin e saktë të ‘cookies’ që ruhen nga shumë faqe interneti.
Shumë me rëndësi, gjatë kontakteve me njerëzit dhe në fletëpalosjet është treguar për praktikën e rrezikshme të përdorimit të përdoruesit dhe/ose fjalëkalimit të njëjtë për faqe shumë faqe.
Ky aktivitet është pjesë e projektit “Mbrojtja e të drejtave të njeriut në epokën digjitale, projekt i financuar nga BE dhe i menaxhuar nga zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.
Të tjera aktivitete të këtij projekti përfshijnë një fushatë ndërgjegjësuese në çështjet e ndjeshme të përdorimit të internetit, aftësi të reja të përpunimit në masë të të dhënave, praktikat komerciale, përpunimi i të dhënave të votuesve dhe ndikimi i komunikimeve digjitale në lirin e informacionit dhe medias. Projekti ka filluar në janar 2016 dhe do të kompletohet në gusht 2017.
Për më shumë informacione, ju lutem vizitoni www.digitalrightskosovo.com