Shkruan: Flamur Hyseni
Dështim në sistemin edukativ arsimor vazhdon të mbetet mos edukimi për ta pranuar mendimin ndryshe.
Ky dështim në edukim shfaqet sidomos për faktet publike, siç janë disa prej tyre: rezultatet në sport, arritjet kulturore, sukseset në ndonjë biznes, arritjet shkencore, ku çdoherë shfaqen persona që paraqiten si:
1. “Policët e mendimit dhe përjetimit”, të cilët tregojnë se, si duhet të bëhet reagimi, lidhur me ndonjë fakt publik. Janë të bindur se vetëm qysh mendojnë ata ashtu është.
2. Kundërshtarët me çdo kusht të mendimit ndryshe. Shfaqja e tyre është totalitare.
3. “Pronarët e fakteve publike” të cilët paraqiten si autoritete supreme, që përveç shprehjes së injorancës publikisht, mundohen të paraqiten si parashikues absolut se çka do të ndodh tani e tutje. Shtiren se e dinë, Shqipëria ose Kosova çka do të bëjnë në Euro 2028. Çka bënë tani e tutje Kadare që nuk është më në mesin tonë dhe çka do të bëjmë ne që nuk do ta kemi Kadarenë. Këta paraqiten sikurse me qenë pronarë të ngjarjeve dhe fakteve publike.
Reagimi publik, për zhvillimet kulturore dhe sportive tregon më së miri emancipimin kulturor të një kombi. Kadaresë nuk i bëni nder nëse përpiqeni me totalitarizma dhe absolutizma ta distanconi nga NE. E tërë krijimtaria e tij ka qenë për NE. Në NE bënë pjesë edhe ti.
Mjaftojnë reagimet kundër mendimit ndryshe për dy faktet e fundit, Shqipëria në Euro 2024, dhe ndarja nga jeta e shkrimtarit, Ismail Kadare, për të dal prapë në skenë “policët e mendimit dhe përjetimit” dhe “pronarët e fakteve publike”.
Mendimi ndryshe nuk i jep të drejtë automatikisht tjetrit të kundërshtoj, sepse, është mendim ndryshe, por, edhe tjetri e ka të drejtën e shprehjes së mendimit ndryshe nëse ka mendim ndryshe. Nuk është obligim me shpreh mendimin ndryshe sikurse nuk është obligim me reagua.
Edhe ma e çuditshme është përpjekja për tua mbushur mendjen me çdo kusht tjerëve se, kush ka qenë Kadareja, sepse, për Kadarenë po shkruajnë edhe mediat e huaja. Pra, kjo punë qenka absolute nëse po shkruajnë mediat e huaja. Ne, të tjerët duhet të ndalemi së shprehuri mendimin sepse po u prishet mendimi totalitarëve dhe absolutistëve. Tendencë për shoqëri totalitare, e cila çuditërisht e dëshiron qeverisjen demokratike!
Faktet publike nuk kanë pronarë. Secili e ka mundësinë e shprehjes së mendimit ndryshe. Shprehja e mendimit ndryshe për një fakt publik nuk ja pakëson mundësinë dhe të drejtën tjetrit për ta shprehur mendimin ndryshe.
O “polic i mendimit dhe përjetimit”, shprehe mendimin ndryshe nuk ka ndodhur asgjë me ty. Është fakt publik. Ti nuk je pronari i fakteve publike. Shprehe mendimin ndryshe nëse ke mendim ndryshe. Mos trego se si duhet me shpreh mendimin tjetri. Mos u merre me tjetrin sepse edhe ai merret me ty. Në mungesë të edukatës po e kaloni në personale. Nuk bënë me kalua në personale me tjetrin pse Shqipëria nuk arriti më shumë në Euro 2024. Nuk bënë me kalua në personale pse Kadareja u nda nga jeta. Mos u merr me jetën e Kadaresë se asgjë më shumë nuk e ke se sa tjetri. Njëjtë e kemi Kadarenë. Merru me veprat e Kadaresë.
Shprehe mendimin nëse ke mendim për sport.
Shprehe mendimin nëse ke mendim për Kadarenë.
Lidhur me Kadarenë, më të lehtë e ke me shpreh mendimin për librat e tij, nëse e ke lexua ndonjërën.
Edhe nëse nuk ke mendim për librat e Kadaresë sepse nuk i ke lexuar, e ke mundësinë ti lexosh, janë në bibliotekë dhe librari, nuk i ka marrë me vete. /2LONLINE/