Në fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, po mbahet Konferenca e dytë Ndërkombëtare me temë: “Migracioni, Diaspora dhe Zhvillimi Ekonomik”.
Në këtë konferencë mori pjesë edhe zëvendësministri i Punëve të Brendshme, z. Izmi Zeka, i cili para të pranishmëve u paraqit me një fjalim si Koordinator Kombëtarë për Migrim.
Në vazhdim gjeni të plotë fjalimin e z. Izmi Zeka.
Të nderuar pjesëmarrës,
Në cilësinë e Koordinatorit Nacional për Migrim më lejoni të falënderoj Rektorin e Universitetit të Prishtinës z. Marjan Dema për iniciativën dhe organizimin e kësaj konference shkencore ndërkombëtare për të diskutuar dhe shtjelluar temat me të cilat e tërë bota si kurrë më parë është duke u sfiduar, si ajo e migrimit.
Për shumë vite të angazhimit tim si zëvendësministër i Punëve të Brendshme dhe njëherësh Koordinator Nacional për Migrim dhe duke u marr në baza ditore me çështjet e migrimit kam ardhur në përfundim për kompleksicitetin që migrimi si koncept aplikohet në Republikën e Kosovës, si dhe implikimet e saj në nivel rajonal, Evropian dhe ndërkombëtar.
Para se gjithash, duhet nënvizuar se migrimin gjithmonë duhet shikuar nga këndvështrimi pozitiv dhe aspektet pozitive që lëvizjet migratore i sjellin shteteve pritëse dhe tyre të origjinës. Gjithashtu, migrimin duhet menaxhuar në veçanti sa i përket aspektit të parandalimin të migrimit të parregullt dhe luftimit të grupeve kriminale që merren me trafikim me qenie njerëzore dhe kontrabandim me migrantë, sepse të drejtat e migrantëve nuk duhet cenuar dhe jeta e tyre nuk duhet të rrezikohet nga lehtësimi i grupeve kriminale që përfitimet materiale i shohin më të rëndësishme se sa jeta e njerëzve të pafajshëm që lënë vendin e tyre për shkak të luftërave apo se dikush kërkon një jetë më të mirë duke zgjedhur migrimin për të gjetur zgjidhje për këtë jetë më të mirë.
Migrimi si politikë shtetërore është shumë e rëndësishme për Qeverinë e Republikës së Kosovës. Kjo rëndësi i dedikohet në veçanti numrit të madh të komunitetin tonë në diasporë që mbetet një nga promotorët e shtet-ndërtimit të Kosovës, si në aspektin ekonomik, politik dhe diplomatik. Rëndësia e diasporës tonë është e padiskutueshme dhe në këtë drejtim prioritetet tona jonë shtetërore duhet orientuar në krijimin e politikave që kontribuon në përfaqësimin sa më dinjitoz të komunitetit tonë të diasporës në proceset vendim-marrëse shtetërore si dhe në krijimin e programeve specifike që kanë për qëllim promovimin e investimeve të komunitetin tonë të diasporës në Kosovë. Është një fakt i dëshmuar se diaspora jonë mbetet promotor i rëndësishëm në konsolidimin e shtet-ndërtimit të Kosovës dhe gjithashtu kontribuues shumë i rëndësishëm i zhvillimin ekonomik të Kosovës.
Krijimi i sistemit dhe qeverisjes së migrimit në Kosovë ka kaluar përmes disa etapave të konsolidimit të kornizës ligjore dhe institucionale, që nga shpallja e pavarësisë e deri tek reformat që kemi ndërmarr në plotësimit të kërkesave që kanë dalur nga procesi i liberalizimit të vizave dhe ato të integrimit Evropian përmes zbatimit të Marrëveshjes për Stabilizim Asociim me Bashkimin Evropian.
Përveç hartimit dhe zbatimit të legjislacionit bazik që lidhet me migrimin dhe aspektet e sigurisë, duhet theksuar se në kuadër të procesit të liberalizimit të vizave Republika e Kosovës ka vendosur politika specifike që lidhet me procesin e ripranimit të Kosovarëve si dhe me krijimin e një sistemi për ri-integrim të qëndrueshëm të qytetarëve tanë ta riatdhesuar. Vlen të theksohet se mekanizmat Evropian kanë vlerësuar se politikat e ripranimit, ri-integrimit të personave të riatdhesuar, reformat e ndërmarr për siguri të dokumenteve civile, konsolidimi strategjik i menaxhimit dhe kontrollit të kufirit dhe aplikimi i konceptit të menaxhimit të integruar të kufirit janë disa nga reformat më të suksesshme që ka ndërmarr Republika e Kosovës që mund të shërbejnë si storie suksesi dhe si model për vendet tjera.
Menaxhimi i migrimit dhe ndërlidhja e migrimit në politikat sektoriale është prioritet i qeverisë i cili do të adresohet përmes strategjisë së re kombëtare për migrim 2019-2023, strategjisë së diasporës 2019-2023, strategjisë për ri-integrimin e personave të riatdhesuar 2018-2022 si dhe përmes një numër të strategjike sektoriale që ndërlidhen me fushën e migrimit si ato të shëndetësisë, të punësimit, të arsimit dhe të tjera.
Për më tepër, Qeveria e Republikës së Kosovës, në vitin 2013 ka marr Vendim për themelimin e Autoritetit Qeveritar për Migrim si një mekanizëm ndër-institucional i specializuar të përcjell trendët e migrimit si dhe të bëj propozime politikash për Qeverinë e Republikës së Kosovës. Duhet theksuar se Autoriteti Qeveritar për Migrim deri tanë ka hartuar 5 Profile të Migrimit si dokumente analitike që bazohet në statistikat dhe trendët e migrimit dhe jep rekomandime për ndryshime strategjike të politikave shtetërore që lidhen me migrimin. Rëndësia e këtij mekanizmi është e madhe në veçanti pasi që politikat Evropiane dhe ndërkombëtare janë orientuar në qasjen ndër-sektoriale që lidhen me migrimin dhe në si Qeveri e Republikës së Kosovës jemi të zotuar në fuqizimin e këtij mekanizmi dhe të avancimit të qasjes ndër-sektoriale që lidhet me migrimin, me qëllim të ndërlidhjes së migrimit me zhvillimin e politikave sektoriale dhe me qëllim të zhvillimin ekonomik të vendit.
Ju faleminderit për vëmendje dhe ju dëshiroj një konferencë të suksesshme.