Sot në Ministrinë e Diasporës dhe Investimeve Strategjike u nënshkrua një memorandum mirëkuptimi mes ministrit të Diasporës dhe Investimeve Strategjike, Dardan Gashi, ministrit të Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani, dhe drejtorit ekzekutiv të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Ekrem Hajdari.
Memorandumi ka të bëjë me transferimin e të dhënave për ndërmarrjet që janë nën administrim të Agjencisë Kosovare të Privatizimit te institucionet, nënshkruese të Memorandumit, si asete potenciale. Në këtë kontekst, asetet që do të trajtohen janë: hoteli “Grand” në Prishtinë, Inex Brezovica, Miniera e Magnezit në Golesh dhe Miniera e Magnezit në Strezoc, Kamenicë.
Qëllimi i këtij memorandumi është rregullimi i pranim-dorëzimit të informatave ose të dhënave lidhur me ndërmarrjet, konkretisht asetet shoqërore që janë nën administrimin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit te Ministria e Diasporës dhe Investimeve Strategjike dhe te Ministria e Tregtisë dhe e Industrisë.
“MDIS-i, si nënshkruese e këtij memorandumi, mund të kërkojë nga AKP-ja të dhëna për asetet e ndryshme potenciale për investime strategjike, që t’i promovojë ato përmes mekanizmave të veta, për të tërhequr sa më shumë kompani që të aplikojnë si investitorë strategjikë.
Sipas këtij memorandumi, MDIS-i, AKP-ja dhe MTI-ja mund ta iniciojnë bartjen ose shfrytëzimin e aseteve te investitorët potencialë strategjikë.
Institucionet, nënshkruese të Memorandumit të Mirëkuptimit, në përputhje me ligjet në fuqi, bëjnë promovimin e aseteve te investitorët potencialë strategjikë. Ato, në bashkëpunim me institucionet e tjera përkatëse, mund t’i iniciojnë procedurat për bartjen apo shfrytëzimin e aseteve te investitorët potencialë strategjikë.
Përmes këtij memorandumi, mund të bëhet transferimi i ndërmarrjes, përkatësisht aseteve në pronësi shoqërore te ministritë.
Në fund të takimit, të tria palët u pajtuan që bashkërisht t’i promovojnë asetet shoqërore te investitorët potencialë strategjikë përmes organizimit të konferencave për investues, qoftë në vend, po edhe jashtë tij.