Fikri Mehmeti, sekretar në Alternativë – Dega në Gjilan, vlerëson se për arsye se ende nuk njihen diplomat e Kosovës nga shteti serb, po detyrohen të rinjtë e Luginës së Preshevës që t’i drejtohen për studim Universitetit të Tiranës dhe atij të Tetovës. Marrëveshja për njohje të diplomave ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, nuk ka filluar ende të implementohet dhe respektohet në Serbi.
Sipas tij, aplikantët e rinj dhe ata të cilët aktualisht janë duke studiuar në UP, i kanë humbur shpresat dhe janë demotivuar për arsye se nuk shohin perspektivë që t’i kryejnë studimet në UP, sepse diploma e tyre nuk njihet në Serbi.
“Si rezultat i këtij diskriminimi nga shteti serb, dhe heshtjeje nga Prishtina zyrtare, edhe kuotat e garantuara veçanërisht në fakultetin e mjekësisë për studentët nga lugina nuk ka arritur të përmbushet dhe ka mbetur zbrazëtirë, kjo për arsye se studentët dhe të rinjtë nga Lugina janë duke ikur drejtë Tiranës dhe Tetovës, sepse me diplomat e këtyre dy universiteteve shohin të ardhme në vendin e tyre”, thotë Mehmeti, transmeton 2LONLINE.
Sipas tij, për ikjen e të rinjve të Luginës nga UP fajin kryesor e bartin Qeveria e Kosovës dhe Zyra e BE-së në Prishtinë, për arsye se nuk bëjnë presion tek Beogradi zyrtar që të respektohen dhe jetësohen marrëveshjet e arritura ndërmjet dy vendeve.