Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti së bashku me menaxhmentin e lartë të PK-së, pritën në takim zyrtar përfaqësues të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare nga: Këshilli gjyqësor, Prokuroria e Shtetit, KQZ-ja, PZAP-ja , BE-ja EULEX-i, OSBE- ja dhe përfaqësues të agjencioneve të sigurisë.
Qëllimi i këtij takimi ishte i karakterit njoftues lidhur me implementimin e planit policor për zgjedhjet lokale të 17 tetorit, përmes të cilit Policia e Kosovës synon krijimin e një ambient të sigurt dhe të qetë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës para, gjatë dhe pas procesit të zgjedhjeve.
Ky plan parasheh bashkërendimin dhe koordinimin e aktiviteteve të përbashkëta të parapara sipas Marrëveshjes së Bashkëpunimit në mes të institucioneve kompetente vendore, me qëllim të ofrimit të sigurisë dhe mbarëvajtjes së procesit zgjedhor.
Policia e Kosovës dhe institucionet përgjegjëse treguan përkushtimin drejt angazhimit të tyre në realizimin e detyrave dhe përgjegjësive ligjore në mënyrë profesionale, transparente dhe të paanshme karshi qytetarëve dhe vendit, për t’u mundësuar ushtrimin e lirë të së drejtës së votës.
Njëkohësisht institucionet relevante inkurajojnë të gjithë qytetarët që të bashkëpunojnë me Policinë e Kosovës, Prokurorinë e Shtetit, KQZ-në dhe njëherit të raportojnë për çdo rast të kundërligjshëm që ndërlidhet me sigurinë, me procesin zgjedhor apo edhe jashtë tyre. Raportimet e juaja do të trajtohen në mënyrë konfidenciale, të njëjtat mund t’i adresoni te Prokuroria e Shtetit, KQZ-ja dhe te Policia e Kosovës. /2LONLINE.com/