Sot, në kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë, është mbajtur ceremonia e certifikimit të 311 rekrutëve të rinj të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK). me këtë rast, Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka kërkuar nga ushtarët e rinj të FSK-së të mos harrojnë se në ADN-në e tyre është Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) dhe ajo e komandantit legjendar, Adem Jashari.
“Sot, u shënua ceremonia e betimit të 311 ushtarëve të rinj, të cilët njëherazi janë grupi më i madh i të certifikuarve ndonjëherë në ushtrinë e shtetit tonë”, ka thënë Mehaj.
Ja fjala e tij e plotë:
Sot, u shënua ceremonia e betimit të 311 ushtarëve të rinj, të cilët njëherazi janë grupi më i madh i të certifikuarve ndonjëherë në ushtrinë e shtetit tonë.
Në vijim gjeni fjalimin tim me rastin e kësaj ceremonie:
I nderuar Kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës, z. Glauk Konjufca
I nderuar zv. Kryeministër, z. Besnik Bislimi; Të nderuar deputetë;
I nderuar Komandant i FSK-së, Gjeneral Bashkim Jashari;
I nderuar, zv. Komandant i KDS-së, Kolonel Lladrovci;
I nderuar drejtor i NALT, Gjeneral Hoppe; Kolegë bilateral, Atashe, Oficer, nënoficer, ushtarakë;
Të nderuar përfaqësues të shoqatave të dalura nga lufta,
Të nderuar familjarë të rekrutëve;
Të nderuar rekrutë të Forcës së Sigurisë së Kosovës,
Jemi bashkë sot këtu për të shënuar suksesin tuaj të treguar për gjatë 9 javëve të trajnimit bazik. Grupi i juaj sot është shumë i veçantë sepse jeni grupi më i madh që është certifikuar ndonjëherë në ushtrinë tonë, me gjithsej 311 ushtarë të rinj që në total arrijnë në 1230 ushtarë brenda 19 muajve punë.
Sot kur po përmbyllim me sukses këtë proces të rekrutimit, ju njoftojë që konkursin e radhës për pranimin e mbi 600 ushtarëve të rinj, do ta hapim më datë 28 nëntor. Kjo është e nevojshme, kjo është e domosdoshme për të zhvilluar edhe më tutje ushtrinë tonë dhe për të forcuar kapacitetet tona në mbrojtje të vendit.
Certifikimi juaj po ndodhë në një datë të veçantë. Data 11 nëntor e vitit 1918 është datë kur u nënshkrua marrëveshja e paqes, që bëri të heshtin armët e Luftës së Parë Botërore. Pra kjo datë na rikujton që qëllimi juaj dhe qëllimi ynë gjithnjë do të jetë garantimi i paqes në vend dhe me gjerë gjithmonë krahë përkrah me partnerët tanë. Sepse më shumë se çdo gjë tjetër, vendi jonë, rajoni dhe bota ka nevojë për paqe, kjo është rruga jonë, kjo është e vetmja rrugë.
Garantimi i paqes, kërkon përgatitje të lartë, ngritje të kapaciteteve opercaionale dhe profesionale, në këtë drejtim jemi duke punuar çdo ditë.
Të dashur ushtarë, nuk mund të ecim përpara nëse nuk e nderojmë të kaluarën. Historia jonë na ka bërë këta që jemi sot, për atdhe derdhim djersë, për atdhe derdhim lot, për atdhe derdhim gjak.
Atdheu është pasuria jonë më e madhe, për të jetojmë dhe për të vdesim!
Ushtarë të dashur, gjatë shërbimit tuaj brenda dhe jashtë vendit, ecni gjithmonë me kokën lartë, sepse ushtria jonë nuk ka luftuar kurrë për të pushtuar territore të huaja, por gjithnjë kemi mbrojtur me shpirt vendin tonë.
Dijeni mirë që në venat tuaja keni ADN-në e UÇK-së, keni ADN-në e komandantit Legjendar Adem Jashari. Ushtria e Adem Jasharit nuk dorëzohet, nuk kthehet prapa, është e pathyeshme dhe e pamposhtur.
Jemi të qëndrueshëm e vizionar si Adem Demaçi, dhe trima si Adem Jashari. Dy Adema na udhëheqin neve, njëri në aspektin politik, tjetri në aspektin ushtarak. Të dy bashkë do të mbesin prijësit tanë të përjetshëm.
Mos harroni kurrë, që më e rëndësishmja është t’i shërbeni popullit dhe popullin ta keni me vete. Përderisa jeni në rrugën e dëshmorëve, në rrugën e UÇK-së, populli është me ju dhe ju jeni me popullin.
Fëmijët që mbeten pa prindër, gratë që ju vranë burrat, nënat që mbeten pa vajzat dhe djemtë e tyre, ndjehen të sigurt kur shohin uniformën tuaj. Të kujdesemi për ta e kemi amanet nga dëshmorët, ne i dërgojmë amanetet në vend, ne mbajmë premtimin ne kemi dhënë besën.
Të nderuar ushtarë, rrugëtimi ynë do të ishte i pamundur pa aleatët tanë, populli ynë thotë “Shtëpia jonë është e mikut dhe e zotit”, prandaj bashkëpunimin dhe mirënjohjen për partnerët tanë duhet ta kemi gjithmonë në rend të parë.
Bashkëpunimi dhe koordinimi me ShBA-të dhe shtetet e tjera të NATO-së është jetësor për ne, pa ndihmën dhe përkrahjen e tyre, nuk do t’ia dilnim dot.
Anëtarësimi në NATO dhe në mekanizmat tjerë ndërkombëtarë është synimi ynë, ne do të përmbushim çdo detyrë e obligim që të jemi pjesë e kësaj familje të madhe.
Për fund, dua të përshëndes të gjithë prindërit që jeni sot këtu, të jeni krenarë me vajzat dhe djemtë tuaj, këta do t’i dalin zot Kosovës.
Faleminderit dhe urime të gjithëve! /2LONLINE/