Demush Mehmeti: “Brymë e pranverës së vonë”,Botoi SHB”Beqir Musliu”, Gjilan, 2018, fq. 120.
Poezia e vëllimitt të parë poetik “Brymë e pranverës së vonë”, krijon imazhin e vargut në përjetimin e ditëve me të cilat mediton natyra njerëzore dhe imagjinata artistike e poetit. Poezia dhe frymëzimi janë meditim i përditshmërisë së krijuesve, të cilët lidhin të gjitha frymëmarrjet dhe shtegtimet e hapave të tyre.
Shkruan: Nexhat Rexha
Në këtë vazhdimësi të artit letrar radhiten edhe përjetimet dhe përflakjet e autorit në çdo varg e poezi. Poezia e librit korrespondon me të gjitha përjetimet , të cilat vijnë si artikulim e imponim nëpër kreativitetin që krijon vetë përditshmëria.
Poezia e Demushit krijon realen e perceptuar nga pena e tij ,ajo ndërton e modifikon pjesë nga më të ndryshme të fjalës së saj nëpër tërësinë e parashtruar . Ndërtimi poetik krijon kontekstin e parashtrimit në rrafshin e situatave që ka krijuar realiteti i njeriut tonë.
Pikërisht në këtë kontekst krijohet edhe modaliteti artistik i poezive të këtij vëllimi. Situatat e krijuara në poezinë e Demushit kanë mëvetësinë e tyre , të cilat ruajnë aktualitetin e trajtimit të tyre brenda vetes, ato vijnë edhe si refleksion i përjetimit të brendshëm të tij. Realiteti jetësor dhe realiteti artistik i kanë edhe nyjet e tyre , të cilat kërkojnë depërtime të reja të fjalës dhe të vetë asaj që parashtron autori.
Në kontekstin e arritjeve të prekshme të ngjarjeve ,krijohen edhe pika të ndjeshme ,ato krijojnë realitetin e përjetimit për autorin dhe lexuesin. Këto përvijimi karakterizojnë e vëjnë në dukje ekzistencën e realitetit nëpër trazimet e preokupimet e artit, si dukuri të pranueshme dhe si dukuri që arrijnë të ngritin nivelin e shoqërisë nëpër të cilin pena e Demushit ka depërtuar deri aty ku ka mundur të shoh dritën në tunelin e jetës njerëzore.
Meditimi artistik ka edhe përvijimet e gjetjeve të pranueshme në përzgjedhjen tematike të poezisë,sidomos lirikës që kërkon afërsi racionale për të krijuar motivin dhe për të dhënë mesazhin dedikues lexuesit. Mirëpo, poeti në poezinë e tij ka arritur t`i mënjanojë ndikimet poetike, duke shkrirë përjetimin personal me ngjyrim të individualitetit,pastaj poezia merr rolin e meditativ dhe krijon portretizimin autentik të saj.Idejshmëria në brendi të vargjeve ka arritur të konkretizoj parashtrimin poetik dhe atë që quhet transformim në realizimin e tërësisë artistike.
Parashtrimet e temave kanë shtrirje në rrafshin e njohjeve e përjetimeve, si shfaqje të parashtruara, me të cilat autori komunikon për çdo ditë dhe kështu, ato vijnë e radhiten në përflakjen e ideve funksionale. Tematika e poezive komunikon me ngjarje e personalitete të njohura ,ato fuqizojnë aktualitetin tematik të shtruar në dy rrafshe , të cilat në vete bartin e ruajnë tematikën historike si pikë referimi për një periudhë historike që i ka bashkuar idealet e njerëzve të këtij nënqielli.
Ndërsa, tematika e tjetër që ka dominim në vepër është jeta shoqërore me rrjedhat sociale dhe ato që reflektojnë me ndikimet e veta nëpër të gjitha poret, dukuritë nga më të ndryshmet. Cikli i parë bashkëjeton me figurat kombëtare kryesisht të kësaj treve, të cilët kanë ushqyer e glorifikuar ngjarjet historike ,si: Hasan Remniku, Hysen Tërpeza, Idriz Seferi, Agim Ramadani, Njazi Azemi me Adem Jasharin e të tjerë.
Duke i dhënë lexuesit atdhedashuri e reflektim intim edhe vetë autorit. Këto referime të japim mundësin e fjalës artistike më figuracion të mjaftueshëm që e bëjnë përkushtimin më afrues, në kontekstin kohor dhe historik. Këto poezi përkushtuese kanë rëndësinë e tyre në ruajtjen e kultivimin e akteve sublime për atdheun e lirinë e Kosovës. Në katër ciklet tjera të librit radhiten motivet shoqërore me refleksione nga më të ndryshmet. Ato krijojnë pika të ndjeshme, të cilat i ka brumosur autori me dukuri e pamje që vijnë si përjetim afrues për çdo lexues.
Koha e testamentet e jetës kanë ruajtur në arkivin e tyre kujtime e zhvillime të ecjeve tona nëpër antitezat e dashuritë në të gjitha kohët. Ndërkaq në këto parashtrime fragmentariteti komunikon me lidhjen e ruajtjes së kujtimeve, duke përkujtuar zhvillimin shoqëror si dhe lashtësinë e popullit tonë . ai përkujton në poezinë “ Me një të prekur” ,kohën kur mërgimtarët shkruanin letra dhe ato sa vononin,kurse sot ato janë te pa nevojshme, sepse me një prekur të gishtit njeriu është atje ku dëshiron, kjo arritje teknologjike ka krijuar realitet tjetër.
Brengat dhe meditimet kanë bashkëjetuar me të gjithë ata që nuk harrojnë shkëputjet e gjymtyrëve të atdheut tonë, të cilat vazhdimisht po copëtohen e ndahen nga trungu i trupit tonë. Kurse pritja e njeriut ka fillin e kafshimeve të vazhdueshme që krijon ndryshimin e vendnumërimit në pritjet e pafundme. Në këto rrjedha të aktualiteteve tona politike e shoqërore, sikur po krijohen situata pashtegdalje apo siç i shprehet autori në poezinë Nyja e Gordit”:”Strukur grykës së laringut të tharë/ Është shpatë pa teh/ Vetëlidhet në litar/ Sopatën e topitur lëre anash/Asnjëherë në të njëjtin vend/ Nuk godet/Nyja e Gordit mbetet e paepur”fq. .. Kështu hija dhe veprimet hipokrite veprojnë e depërtojnë nëpër kohë dhe ata pastaj përbaltin , sakrificën dhe moralin e njeriut të ditur e të vlerësuar nga dhuntia e diturisë.
Në ciklin e parafundit “Skalitur në bebëzat tua” rradhiten poezitë me motiv të dashurisë, të cilat për lexuesin sjellin aromën e këndshme dhe në lexim të afrojnë ngrohtësinë e munguar. Dashuria si pjesë përbërëse e gjallimit që bashkëjeton e bashkudhëton me aromën e luleve ,në poezinë e Demushit ka rifreskim në shpërndarjen e aromës për dashurinë në ardhje.
Dashuria si frymëzim artistik dhe dashuria si përjetim i kanë ndërlidhjet e veta,sepse kur ajo vjen si kërkesë e bëhet realitet, mund çdo dhembje. Ajo tejkalon lodhjen dhe vetmin. Autori lutet për dashuri, ai e mbron atë, sepse ajo në thellësi të botës e ka çerdhen e të jep ngrohtësinë për të mundur të gjitha dhembjet, për të shëruar të gjitha plagët e padukshme.
Kur meditimi me përflakjen arrijnë marrëveshjen, jeta me dashuri himnizon ditët, ajo shijon aromën e saj, sepse dashuria jeton në vargje bashkë me zjarrminë shuan edhe flakën e saj. Porta e dashurisë është çelës i zemrës i jep kuptim edhe pagjumësisë, ajo nuk mat kohë,stinë për të arritur e tejkaluar çdo stuhi si dhe për të prekur endrrën magjike. Në ciklin e fundit ,autori bashkëjeton me vendlindjen dhe shpalosë ëndrrat, pikëllimet, të cilat rizgjojnë kohën e ikur.
Vëllimi poetik“Brymë e pranverës së vonë”, i Demush Mehmetit me tërësinë e shtjellimit afron kualitetin, bartë e transmeton aktualitetin e pashterur në parafytyrimin përmes fjalës së zgjedhur e të gdhendur në kompozicion te harmonishëm. Poezia ka një nivel të afërt artistik, e cila për lexuesin krijon disponim të kënaqshëm,duke shfaqur notën e pohimit për të bukurën në përditshmëri, me qëllim të flakjes së dukurive të padëshirueshme.
Vëllimi poetik në vete ka konkretizime të arritshme në funksion e fuqizim të mesazhit dhe në trajtim arrin në universalen e dëshirueshme.
Libri lexohet lehtë, sepse autori ka funksionalizuar rrjedhën e vargjeve me figuracion e gjuhë të rrejshme, e cila përforcon lirizmin e saj me formësimin e shprehjes aktualizuese, duke ruajtur tiparet se saja në modifikim të arsyeshëm dhe funksional në ide e motive.