Ja çfarë thotë Isufi i Vetëvendosjes për raportin financiar 2017 që u votua në Kuvend

Ja çfarë thotë Isufi i Vetëvendosjes për raportin financiar 2017 që u votua në Kuvend

Kuvendi Komunal i Gjilanit në seancën e të enjtes, me 20 vota për dhe 9 kundër Kuvendi ka miratuar edhe raportin financiar për vitin 2017, të cilin e ka prezantuar drejtori i Buxhetit, Abdyl Jerliu.

Njëri nga ata që ishte kundër këtij raporti, edhe me votë, ishte Nevzad Isufi, shef i Grupit të Këshilltarëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Gjilanit, i cili ka qenë tejet kritik ndaj këtij raporti.

Ai madje ka listuar shembuj se pse një raport i tillë është i keq dhe nuk duhet votuar, por ka thënë se ka edhe plot shembuj të tjerë të natyrës së tillë që si ka përmendur e që e bëjnë tejet të çuditshëm, jo transparent dhe me plot gabime këtë raport financiar njëvjeçar, prandaj për këtë arsye mendon që ky raport duhet të kthehet te raportuesi, të përmirësohet, të korrigjohet e të detajohet, e pastaj si i tillë të sillet në Kuvend, para kuvendarëve për aprovim.

Ai ka thënë ndër tjerash se nga praktika e di që, shumë herë, pavarësisht diskutimeve të faktuara, gishtat kanë vendosur krejt ndryshe, por pasi ka numëruar shembuj të shumtë se pse ky raport nuk duhet të votohet në formën e ofruar para kuvendarëve, është shprehur kundër dke thënë edhe se: “Kjo le të mbetet në ndërgjegjen e secilit, por unë besoj se edhe shumë kolegë të mi mendojnë kështu, jo për kurrfarë inati, as personal e as grupor, as pozitar e as opozitar, por vetëm për shkaqet e cekura me lartë e që për mua janë shumë përmbajtjesore”.

Përndryshe, ja diskutimi i plotë i Nevzad Isufit të Vetëvendosjes mbi këtë çështje.

Kur jemi te kjo pikë nuk mund të mos e përmend edhe sot faktin që në seancën e kaluar miratuat një raport skandaloz të punës së Kryetarit të komunës, me gabime, pasaktësi, e falsifikime nga më të ndryshmet e ku mungonte raportimi për mijëra euro. Kjo mua më bënë skeptik se sa herë që kemi të bëjmë me raporte të tilla, anëtarët e Kuvendit të partisë në pushtet do të veprojnë njëjtë. Vetëm kjo do të duhej të ishte e mjaftueshme për të treguar se sa të përgjegjshëm jemi ndaj qytetarëve, të cilët na kanë besuar që të jemi zëri i tyre në trajtimin e të gjitha çështjeve me interes për ta e sidomos kur kemi të bëjmë me mënyrën e shpenzimit të parave të tyre.

Gjithashtu duhet theksuar se edhe Raporti i sotëm financiar një vjeçar për vitin 2017, po shqyrtohet sikur edhe të gjitha pikat tjera të rendit të ditës pa kaluar nëpër Komitetin për politikë dhe financa, dhe pa rekomandimet e tij, gjë që përbën shkelje ligjore. Pra jemi në muajin e katërt pas zgjedhjeve dhe deri më sot, ne ende nuk e kemi formuar dy komitet e obligueshme të Kuvendit. KPF dhe Komitetin për komunitete.

Të gjitha këto që posa theksova janë më shumë një thirrje që të kemi qasje më serioze në punën tonë, e një qasje e tillë na duhet edhe me rastin e shqyrtimit të pikës së rendit të ditës, që ka të bëjë me raportin financiar për vitin 2017, ku besoj që jo vetëm ne, por edhe qytetarët që na përcjellin kanë interes të na dëgjojnë dhe të shohin se si përdoret buxheti i shtetit, por edhe parat e tyre si taksapagues. Pra si janë planifikuar e shpenzuar ato gjatë vitit që lamë pas.

Do të thosha se ka vite që raportet e tilla janë formësuar dhe se nuk kemi ndonjë përparim a freskim, qoftë në dizajnimin e këtyre raporteve, qoftë në freskimin e tyre me komente apo tabele me shënime më të hollësishme, si kur bëhet fjalë për planifikimet, për shpenzimet, projektet kapitale, për subvencionet etj, ndonëse ka qenë kërkesë e jona disa herë. Kjo është kërkuar për shkak se kur raportet janë të përgjithësuara pa detaje, nuk lënë mundësinë për gjykim të drejtë e të besueshëm.

Por për mua është e paqartë se kush është autor i këtij raporti përpos faktit që ky raport duhet ta ketë burimin te Drejtoria e Financave, sepse ende s’jemi të njoftuar nëse Kryetari ka emëruar këtë drejtor, ashtu siç nuk dimë as a ka emëruar drejtorët e tjerë të cilët bashkë me të do ta bënin ekzekutivin e komunës sonë. Pra do të ishte mirë ta dimë kujt t’i drejtojmë si pyetjet ashtu edhe vërejtjet apo lëvdatat që mund të kemi.

Për te qenë edhe më i drejtëpërdrejtë, në raporti financiar janar – dhjetor 2017, në faqen e parë të planifikimi fillestar, si edhe më parë kemi një rritje të planifikimit te mallrat dhe shërbimet në raport me vitin 2016, në shumën prej 109.684 €, që nuk është një rritje e vogël kur kihet rritja e vogël e buxhetit të përgjithshëm.

Një gjë tjetër interesante është se në të njëjtën faqe, pra në fillim, te shpenzimet komunale dhe te subvencionet mbetet planifikimi i njëjtë, madje nuk dallon as për një cent të vetëm, ky planifikim me atë vitit 2016. Shtrohet pyetja si e paskemi një precizitet kaq të madh, apo më lehtë ka qenë të përshkruhet ky planifikim nga viti paraprak, edhe pse buxheti i vitit 2017 dallon nga ai vitit 2016 për më shumë se 1.3030447€. Po sa ta krijojmë këtë mendim se me çfarë preciziteti paskemi planifikuar, menjëherë demantohemi më poshtë të njëjtën faqe, se nuk kemi pasur një planifikim dhe shpenzim të mirë të buxhetit tregon edhe shifra e mjeteve të pashpenzuara që përfshijnë shumën prej 2.145.300,34€, që do të thotë se kemi afër 1 milion euro apo më saktë 986.663,28€ të pashpenzuara me tepër se në vitin e kaluar.

Të gjitha këto euro të pashpenzuara nga Granti i përgjithshëm, nga fondi i huamarrjes për “Masat e Efiqiencës së Energjisë në Ndërtesat Publike në nivel komunal në Kosovë”, nga mjetet për participim të mjeteve kapitale nga qytetarët dhe donacione nga organizata të ndryshme, mjete nga të hyrat vetanake, thuhet se barten në vitin 2017. A vërtetë do të barten këto 2 milion e 145.300,34 euro në vitin 2017?! Nuk e besoj se mendoni kështu me të vërtetë, pra të nderuar duhet të përmirësohet dhe thuhet të gjitha këto mjete barten në vitin 2018, se ato tashmë kanë qenë në vitin 2017 dhe kanë mbetur të pashpenzuara. Këto gabim bëhen nga kopjimi i keq i raporteve paraprake e që nuk ka ndodhur vetëm me këtë raport, por edhe me raportet tjera vazhdimisht.

Në të gjitha raportet financiare një vjeçare, për të parë dhe për të bërë krahasimet, zakonisht, si rregull jepen edhe pasqyrat e buxhetit edhe për dy vitet paraprake, që në këtë rast, përpos në fq. 5 te të hyrat vetanake, që po ashtu janë vetëm për vitin 2016, te asnjë pasqyrë tjetër financiare nuk kemi asnjë të dhënë për vitet paraprake. Kjo pamundëson krahasimin dhe e bënë të shumë të mangët këtë raport financiar.

Po të ndalemi te faqja 2, te buxheti në mënyrë sintetike, te zyra e Kryetarit del se përkundër rritjes së buxhetit për këtë zyrë në shumën 32.340€ në raport me vitin e kaluar, kemi më pak subvencione se në vitin e kaluar dhe kemi rritje të buxhetit për mallra dhe shërbime. Prandaj shuma prej 196.303.80€ nuk duket aspak e vogël, dhe në të vërtetë është më e madhe se te shumica e drejtorive tjera për këtë kategori, pra të mallrave dhe shërbimeve. Si p.sh. më e madhe se te drejtoria e administratës së përgjithshme për 36.000€, ose gati sa gjysma e buxhetit të drejtorisë për shërbime publike, infrastrukturë dhe banim.

Pra kryetari që aq shpesh na ka folur për një dietë të ashpër buxhetore, këtë dietë nuk duket se e preferon për zyrën e tij, ku nuk gjejmë asnjë gjurmë të dietës. I vetmi zvogëlim mbetet vetëm te shpenzimet komunale që është më i vogël për rreth 3.000€, krahasuar me vitin e kaluar.

Mendoj që është e rëndësishme të thuhet se kategoria e buxhetit “Mallra dhe shërbime” edhe më tutje shërben një lloj xhokeri, për t’u barazuar për të gjitha shpenzimet e fshehura ose shpenzimet pa mbulesë me dokumente ose fatura, ndërsa është kategori që e kemi te çdo drejtori, zyrë a njësi. Sa për ilustrim po u përkujtoj kur nga kjo kategori buxhetore paguheshin edhe paga të punëtorëve e në veçanti të atyre me kontratë në vepër.

Te faqja 5 e planifikimit vjetor dhe të të hyrave vetanake realizimi i të hyrave krahasuar me vitin paraprak, është 17% më pak se në vitin 2016. Në veçanti brengosëse duhet të jenë të hyrat nga shërbimet publike të cilat janë 43.96 apo 50% më pak se në vitin e kaluar që ishte 83.86% si dhe te të hyrat nga zhvillimi ekonomik që janë 46.76% apo 26.84% më pak se në vitin e kaluar ( në vitin e kaluar ishte 73.60%).

Në faqen 11 te planifikimit përfundimtar për vitin 2017, është interesant të vërehet se si ka lëvizur numri i punëtorëve nëpër drejtori të caktuara, pa kurrfarë transparence. Kështu p.sh te zyra e Kryetarit kemi pasur 29 punëtorë gjatë vitit 2016, trash kemi 33 punëtorë, pra kemi 3 punëtorë më shumë. Nuk besoj që dikush e di që kemi pasur ndonjë konkurs për punëtorë të rinj në zyrën e Kryetarit. Nëse dikush nga ju e di është mirë të na thotë. Te Administrata publik kemi pasur 50 punëtorë më 2016, në 2017 kemi 43 punëtorë. Se këtu kemi të bëjmë shifra të pasakta te kjo drejtori dihet që gjatë kohës së zgjedhjeve kemi pasur më së shumti punësime, e këtu me shifra duket sikur kemi zvogëlim të numrit të punëtorëve. Te zyra e prokurimit kemi një kemi një punëtor më pak se vitin e kaluar, te Shërbimet publike një më shumë, te Zyra e Komuniteteve 2 më shumë, te Bujqësia dhe pylltari 1 më shumë, te zhvillimi ekonomik 2 më shumë, te Kadastri dhe Gjeodezia një më pak, tek Urbanizmi dhe Mbrojtja e mjedisit 3 më shumë, te Kultura Rinia dhe sporti 3 më shumë, te DKA kemi 2 më tepër, te Arsimi parashkollor dhe qerdhet 18 më tepër, te Arsimi fillor 18 më pak. Kupto lojën +18 në qerdhe -18 në Arsimin fillor, e te Arsimi i mesëm 2 më pak. I gjithë krahasimi ishte me vitin 2016. Megjithatë numri i përgjithshëm i punëtorëve nuk ndërron, si në vitin 2016 ashtu edhe në atë të vitit 2017. Pra shtrohet pyetja a kemi lëvizje reale të punësuarve nga një drejtori në tjetrën a po kemi të bëjmë me lojë shifrash?! Në anën tjetër tërë kohën na është folur se si administrata është e mbingarkuar me të punësuar.

Pra, në të njëjtën faqe kemi shifrat të cilat tregojnë edhe zvogëlim të dukshëm të subvencioneve në shumë drejtori, si; Bujqësi dhe pylltari, 196.597.00€ në vitin 2017, ndërsa 219.217.00€ kishim në vitin 2016, në shëndetësi 101.167.60, ndërsa 144.246.00 vitin 2016, kulturë, rini e sport,190.000.00€ në 2017, ndërsa 247.000.00 në vitin 2016, në Arsim dhe shkencë e DKA nga 55.000.00€ këtë vit, kurse nga 67.000 në vitin 2016. Pra gjithsejtë subvencionime në vitin 2017 janë 712.397.25, ndërsa në vitin 2016 kishim 817.628.19€ ose 105.230.94 € më pak se në vitin 2016, madje në fushat të rëndësishme si; Bujqësia, shëndetësia, Arsimi, kulturë, rini e sporti.

Te kapitulli Rekapitulimi i shpenzimeve sipas kodeve ekonomike për K.K. Gjilan, do të duhej të ishte faqe 18, te mallrat dhe shërbimet, nën kodin 13509, thuhet pajisje tjera, ndërsa në kllapa përmenden; klima ups.-a bateri, printer, pajisje për arsim, banka, karrige etj., por këtu shihet se të gjitha këto shkojnë më shumë për zyrën e Kryetarit, Administratën e përgjithshme, drejtorinë për Mbrojtje dhe shpëtim, kështu që shkolla është përmendur si mbulesë, sepse nuk ka asgjë për to. Po ashtu menjëherë nën këtë kod kemi kodin 13610 Furnizime për zyrë në shumë të përgjithshme prej 38.088,88 €, që shumat më të mëdha shkojnë për zyrën e Kryetarit, administratën e përgjithshme, prokurim, Buxhet dhe financa dhe Shërbime publike, por nuk asnjë cent për një kod pak më poshtë me nr. 13630, furnizime mjekësore, asnjë cent.

Te fq. 19, te kapitulli subvencionet, në kodin 21120, subvencione për entitete Publike ( teatër, bibliotekë) shumë në rregull, është cekur për teatër dhe bibliotekë, por nën te kemi kodin 21200, subvencionet për entitete jopublike në shumë prej 16.086.00€ dhe në një kod më poshtë në kodin 22200 pagesat për përfitues individual në shumë pre 44.991.27€ , të gjitha këto nga subvencione nga zyra e Kryetarit. Këtu mbeten plotësisht anonim të subvencionuarit nga entitet publike dhe përfituesit individual, të cilët përfitojnë rreth 61.000€, pra nuk e dimë as kush janë ata as sa janë ata. Shtrohet pyetja për çfarë transparence të buxhetit bëhet fjalë në këtë rast.

Në faqen 22 të këtij raporti, te kapitulli Mallrat dhe shërbimet në kodin 13130 shkruan shpenzimet e udhëtimit brenda vendit, ndërsa në kllapa shkruan, transporti i nxënësve, klubeve sportive, Sh.K.A etj., ku nën shtyllën e administrimit të arsimit figuron shuma 159.336,64. Për mua nuk është e kuptueshme prej nga shpenzimet e klubeve sportive në këtë kod, sepse e di që shkollat nuk kanë klube sportive e as shoqëri, kulturore e artistike etj. Pres sqarime, apo keni futur këtu udhëtimin e nxënësve sa për të kamufluar këto shpenzime, të cilat përpos atyre për udhëtime të nxënësve, do të ishte logjike t’i takonin njësisë së kulturës, rinisë e sportit por edhe shërbimeve publike.

Në të njëjtën faqe, në kodin 13460, ku shkruan shërbime kontraktuese tjera, në kllapa kontrata në vepër, bartja e veturave, shoqata e zjarrfikësve, mirëmbajtja dimërore (s’dihet e kujt) etj., në shtyllën Administrimi i arsimit, figuron 215,040.18€. Nëse ka të punësuar punëtorë me kontratë në vepër, në rregull, por çka kërkojnë në këtë kod bartja e veturave, shoqata e zjarrfikësve, mirëmbajtja dimërore etj.

Në faqen 25, te kapitulli shpenzimet kapitale, në kodin 31690 ku shkruan Pajisje tjera, ndërsa në shtyllën Administrimi i arsimit kemi shumën 142,740,37€. Pra shtrohet pyetja çka është kjo pajisje tjera, çfarë janë këto pajisje për kë janë këto pajisje, sepse nuk janë dhjetëra euro as, qindra euro, por qindra mijëra, ndërsa ne duhet të mjaftohemi vetëm me fjalët pajisje tjera. E çuditshme?!

Te fq. Projektet e financuara nga granti i vitit 2017, natyrisht do të duhej ta kishte faqen 27, sepse disa fletë kanë faqe e disa nuk kanë, pra te kodi i departamentit 48027 shkruan ndërtimi i aneksit të SHF në fsh. Ponesh, ndërsa çmimi është 941.39€. Pra bëhet fjalë për një projekt të kryer në vitin 2016, por ta lëmë këtë po ku ka aneks shkolle që ndërtohet me 941.39€ . E besoni Ju këtë, s’ma merr mendja se as unë nuk e besoj.

Kësi margaritarësh në thonjëza, kemi plot në këtë raport , prandaj do ta përmend vetëm edhe një që ka të bëjë me të hyrat vetanake 2017, që do të duhet ta kishte faqen 30 po që se ka. Te kodi i departamentit 18187 , 21/300/43966, projekti i ndërtimit të urave në shumën 62,701.00, por problemi dhe çudia është se nuk përmendet asnjë urë, askund por përmenden në këtë shumë mirëmbajtja teknike e objekteve komunale, 40.000.00€ si dhe ndërtimi i murit mbrojtës dhe hapësirës për sigurimi të objektit”Don Bosko” 22.701.00 e që bëjnë 62,701.00€ ndërsa titulli është ndërtimi i urave. Po Ju lutem shumë a ka kuptim kjo?!

Jam i bindur se ka edhe plot shembuj të tjerë të tillë, të cilët e bëjnë tejet të çuditshëm, jo transparent dhe me plot gabime këtë raport financiar një vjeçar, prandaj për këtë arsye mendoj që ky raport duhet të kthehet te raportuesi, të përmirësohet, të korrigjohet e të detajohet, e pastaj si i tillë të sillet e të aprovohet.

Por nga praktika e di që shumë herë pavarësisht diskutimeve të faktuara, gishtat kanë vendosur krejt ndryshe, por kjo le të mbetet në ndërgjegjen e secilit, por unë besoj se edhe shumë kolegë të mi mendojnë kështu, jo për kurrfarë inati, as personal e as grupor, as pozitar e as opozitar por vetëm për shkaqet e cekura me lartë e që për mua janë shumë përmbajtjesore.

KOMENTE