Dita Ndërkombëtare e fëmijëve 1 Qershori, është shënuar me një varg aktivitetesh të ndryshme me fëmijët dhe nxënësit edhe në Viti.
Fillimisht, një delegacion i përbërë nga nxënës të 5 shkollave të mesme të ulët të Tërpezës, Sllatinës, Remnikut, Smirës dhe Kabashit, kanë vizituar ambientet e komunës së Vitisë, ku janë pritur nga kryetari Sokol Haliti.
Me këtë rast, kryetari Haliti i ka njoftuar ata për punën dhe aktivitetet e komunës dhe angazhimet për realizimin e projekteve të ndryshme që kanë për qëllim mirëqenien qytetare, e gjithashtu edhe i ka inkurajuar ata që të mësojnë dhe promovojnë vlera, të cilat do të gjejnë mbështetje institucionale.
Ky delegacion i nxënësve, më pas ka vazhduar me një vizitë Kuvendit Komunal, ku janë pritur nga kryesuesi i Kuvendit Naim Pira.
Ai po ashtu i njoftoi ata me punën që bëhet në Kuvend, me marrjen e vendimeve nga këshilltarët dhe aprovimin e tyre nga ky organ ligjvënës. Ndërkohë, një program i pasur artistik është dhënë në amfiteatrin e Parkut të Qytetit, nga fëmijët ë Çerdhes së Fëmijëve “Gëzimi Ynë “ në Viti.
Këto aktivitete që u organizuan nga Drejtoria për Arsim në bashkëpunim me Drejtorinë për Kulturë, Rini e Sport, respektivisht sektorin e Rinisë dhe sportit, u realizuan në bashkëpunim me shkollat e komunës së Vitisë.
Po me rastin e Ditës së Fëmijëve, kryetari i komunës Sokol Haliti i shoqëruar edhe nga drejtoresha e Arsimit Fatbardha Emini dhe bashkëpunëtor të tjerë, kanë vizituar edhe paralelen e nxënësve me nevoja të veçanta në shkollën fillore “Bafti Haxhiu”, të cilëve edhe u ndanë dhurata modeste.
Programi artistik me këngë, valle, recitime e pjese dramatike, u shfaq në sallën e koncerteve të Shtëpisë së Kulturës nga nxënës të shkollave të ndryshme të komunës sonë, ndërkaq në orët e pasdites është paraparë të shfaqet një film artistik për fëmijë.